Lajme

Shqiptarët që kërkojnë azil nën pretekstin e skllavërisë moderne do të deportohen

12/03/2022 08:44
nga:Astrit Gashi

Autoritetet britanike pretendojnë se të gjithë emigrantët që kërkojnë azil me pretekstin se është viktimë e skllavërisë moderne duhet të kthehen menjëherë drejt vendit të tyre.

Mediat angleze kanë bërë të ditur se kjo çështje është edhe thelbi i bisedës mes dy kryeministrave, për të qartësuar situatën në të cilët ndodhen dy vendet.

Prestigjiozja britanike “The Times” ka zbuluar detaje të reja nga biseda telefonike të enjten mes Kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij anglez, Rishi Sunak.

“Shqiptarët, të cilët abuzojnë me ligjin britanik të skllavërisë moderne për të shmangur dëbimin, mund të kthehen në Shqipëri dhe pretendimet e tyre si viktima të skllavërisë moderne do të mund të shqyrtohen në vendin e tyre”, shkruan “The Times”.

Sipas mediave kjo çështje është diskutuar mes dy kryeministrave në mënyrë që emigrantët ilegalë shqiptarë që mbërrijnë me gomone, mund të dëbohen pa pasur mundësi apelimi për refuzimin e menjëhershëm të kërkesave për azil.

E gjithë kjo, vjen në kuadër të një plani shoqëruar me një marrëveshje të re mes dy qeverive për dëbimin e shpejtë të shqiptarëve. Ky plan, sipas “The Times”, është një hap afër pas telefonatës së Edi Ramës me homologun Rishi Sunak pasditen e së enjtes.

Kujtojmë se muajin e shkuar ishte sekretarja për Punët e Brendshme, Suella Braverman, ajo e cila bëri të ditur këtë plan, çka synon ti jap fund abuzimit sipas saj nga shqiptarët, të ligjit për skllavërinë moderne, përmes të cilit bllokohet deportimi i tyre drejt Tiranës.

Gjithashtu gazeta britanike bën më dije se 3,432 shqiptarë gjatë 9 muajve të 2022 kanë kërkuar azil, pikërisht duke ngritur pretendimin se ata janë viktima të skllavërisë moderne.

Këto aplikime i rendisin shqiptarët si nacionalitetin e parë me numrin më të madh të azilkërkimit, bazuar pikërisht në këtë ligj. Sipas këtij ligji që pritet të ndryshojë, ata të cilët kërkojnë azil si viktima të skllavërisë moderne u lejohet të qëndrojnë në Angli derisa Ministria e Punëve të Brendshme “Home Office” jep përgjigjen përfundimtare të pranimit apo refuzimit të kërkesës.

Koha e përgjigjes së shqyrtimit të kërkesës nga Home Office, zgjat më shumë se 1 vit e gjysmë dhe faturën e akomodimit, përfshi atë të ndihmës ligjore, duhet ta paguajë shteti anglez.