Lajme

“Shqiptarët donin ta vrisnin për borxhin miliona dollarësh”, zbardhen përgjimet për ekzekutimin e Ruben Cherres në Ekuador

03/27/2024 11:27
nga:Gazeta Blic

Në 31 mars të vitit 2023, policia ekuadoriane konfirmoi ekzekutimin e Ruben Cherres, i cili njihej si bashkëpunëtor i grupit kriminal të shqiptarëve që merreshin me trafikun e drogës në shtetin e Amerikës Latine.

Së fundmi mediat ekuadoriane, kanë publikuar një artikull ku në bazë të disa përgjimeve të zbardhura, rezulton se ishin shqiptarët ata që donin të vrisnin Ruben Cherres, emri i të cilit figuronte në një çështje të përvetësimit të pronave ku përmendej edhe presidenti i vendit Guillermo Lasso.

Sipas bisedave të zbardhura mes personave që dyshohet të jenë pjesë e grupeve lokale kriminale, Cherres ishte nën shënjestrën e shqiptarëve për shkak se nuk kishte arritur t’u shlyente një borxh prej miliona dollarësh.

“Sot më ka marrë prifti Saavedra dhe me ka thene b****, ti e di qe une kam ndonje shok kudo dhe me kane marrë në telefon të pyesin a po dalim kundër shqiptarëve dhe unë i thashë vetëm “jo çfarë thua!”. Më mirë mos të jesh kundër tyre, shqiptarët duan të vrasin Ruben Cherres se ai mori një faturë i them a je i sigurt nëse njeriu ka kërkuar para, disa milionë dollarë, nuk ka mundur t’i paguajë ato miliona dhe duan ta vrasin…”– thuhet në një regjistrim në janar të 2023-it të një personi të emërtuar si VM3.

Në një bisedë tjetër dy bashkëbisedues pretendojnë se Cherres ka qenë bashkëpunëtor i një shqiptari.

VM3: Kumbar, shiko seriozisht se çfarë mund të bëhet
VM1: Unë nuk do të përfshihem
VM3: Nuk po them përfshihu, por le të flasim me dikë
VM1: Jo, jo, nuk e kam shfletuar ditën kur këta djem mbrojtën njerëz të rrezikshëm, shok, ti e di për Tonny-n, jo për shëndetin tënd…
VM3: Cili?
VM1: Pana shqiptari, është ortak i Cherres

Në një bisedë tjetër ata vënë në dukje lidhjet e dyshuara mes shqiptarëve dhe një tjetër të akuzuari, Leonardo Cortázar.

VM1: Problemi tani këtu është rrëmbimi i Antonio dhe plumbat drejt shtëpisë së tij. Ky ishte Cortázar me shqiptarët”
VM2: jo është ajo që them unë vetë
VM1: sepse Cortazar është tashmë me shqiptarët, kështu që ai u bë i rrezikshëm si Salcedo, por një herë në burg u bë një djalë i keq.

Krahas lidhjes së tij të dyshuar me mafien shqiptare, Cherres shfaqet edhe përkrah Danilo Carrera, kunatit të Presidentit Lasso. Rubén Cherres dhe miku i tij Danilo Carrera u akuzuan nga Prokuroria si drejtues të strukturës së korrupsionit në kompanitë publike. Në mars 2023, Cherres u vra në shtëpinë e tij të pushimit në Shën Helena , së bashku me të dashurën e tij, një mik dhe një roje sigurie.