Lajme

Shqiprim Arifi reagon pas vendosjes së gurthemelit të Universitetit paralel në Veri

08/21/2021 22:29
nga:M K

Shqiprim Arifi kritikon qeveritë shqiptare për gjendjen e shqiptarëve në Luginë.

Përmes një shkrimi të gjatë në Facebook, Arifi thotë se Qeveria e Serbisë po vazhdon të vendosë gurthemele të përhershme në Veri.

Sipas tij, vetëm vitin e kaluar, Qeveria Serbe kishte planifikuar 89 milionë euro të buxhetit, investime në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Ndërsa, thotë se thirrjet për mbështetjen e qytetarëve të Luginës së Preshevës, kanë hasur në vesh të shurdhër në Shqipëri e Kosovë.

Derisa po përmirëson kushtet e serbëve në Kosovë, Arifi thotë se Qeveria Serbe po pamundëson të drejtat e qytetarëve të Luginës së Preshevës.

Postimi i plotë:

“Qeveria e Serbisë po vazhdon të vendosë gurthemele të përhershme në Mitrovicën e Veriut edhe atë përmes së ashtuquajturës “Zyra për Kosovën”, kësaj here në nivel të lartë arsimor, pra me një Universitet.
Vetëm vitin e kaluar Qeveria Serbe ka planifikuar rreth 89 milion Euro të buxhetit investime në Republikën e Kosovës, përkatësisht në komunat me shumicë serbe, nën pretekstin për mbështetje dhe mirëfunksionim të institucioneve e organizatave në territorin e Kosovës.
Në fakt, me metoda të tilla Qeveria Serbe mbanë gjallë strukturat paralele në Republikën e Kosovës që i përgjigjen ekskluzivisht Beogradit.
Në anën tjetër thirrjet për mbështetje nga Lugina e Preshevës në dy dekadat e fundit drejtuar autoriteteve zyrtare në Shqipëri e Kosovë gjatë diskutimeve dhe takimeve të panumërta për ngritjen e çështjes së shqiptarëve ne këtë krahinë, nuk kanë patur suksesin praktik dhe si të tilla, mund të themi se kanë dështuar.
Zhvendosja e fokusit nga problemet reale të Luginës së Preshevës është një nga arsyet pse nuk po konkretizohen premtimet që janë dhënë deri sot dhe kanë mbetur çështje në letër.
Për të kuptuar problemin thelbësor, po paraqes një shembull të bazuar në shifrat e lartëcekura që ka investuar Qeveria Serbe në vitin 2020 në Republikën e Kosovës, ku
shuma e investimeve të përbashkëta të Prishtinës dhe Tiranës zyrtare në 20 vitet e fundit për shqiptarët e Luginës së Preshevës, nuk përbën as 1%-shin e investimeve të Serbisë në vitin e kaluar.
Me këtë kristalizohen qartë prioritet e qeverisjeve në fjalë.
Qeveria e Serbisë dje ka jetësuar dëshirën e saj të para 20 viteve në Mitrovicë, sakaq ne kemi 20 vite që në mesin e shumë nevojave kërkojmë nga Shqipëria e Kosova themelimin e një Universiteti.
Për më tepër, edhe nga autoritetet shtetërore Serbe kemi kërkuar ndërtimin e një spitali për shërbime sëndetësore për shqiptarët e Luginës së Preshevës, por siç mund të dihet, kërkesat për nevoja elementare asnjëherë nuk janë përfillur. Pra, ky shtet abuziv serb ka konstruktuar një metodë diabolike ku përmison edhe më tej kushtet për pakicat serbe në Republikën e Kosovës, ndërkaq në të njejtën kohë pamundëson realizimin e të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve në Luginën e Preshevës duke na lënë në përballje për nevoja elementare në vazhdimësi.
Ne poashtu, jemi në pritje të funksionalizimit të Fondit Kombëtar të Solidaritetit, të paktën një hap i madh që premton përmisimin e sferave vitale të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, i cili do të dëshmonte karshi çdo qeverie se shqiptarët në Luginë, nuk janë vetëm.
Tanimë kanë kaluar më shumë se tre vite që presim. Edhe sa vite të tjera pritje?”.