Sporti

Shqipëria në grup me Serbinë për ‘Euro 2024’? Josa: Po, pse jo! Sporti nuk duhet të ngatërrohet me politikë

12/02/2023 10:39
nga:Mergim Rreci

Shqipëria do të mësojë rivalët në grupet e Kampionatit Evropian “Gjermani 2024” sot, më 2 dhjetor.

Në Hamburg prej orës 18:00 do të hidhet shorti për grupet e “Euro 2024”. Kombëtaret janë të ndara na katër vazo dhe Shqipëria ndodhet në vazon e dytë së bashku me Hungarinë, Turqinë, Rumaninë, Danimarkën dhe Austrinë, njofton FSHF.

Gjermania si ekipi pritës i Evropianit ndodhet në vazon e parë dhe ekipet e tjera në atë vazo janë Portugalia, Franca, Spanja, Belgjika dhe Anglia. Në vazon e tretë ndodhen Holanda, Skocia, Kroacia, Sllovenia, Sllovakia dhe Çekia. Ndërsa vazo e katërt ende nuk është e plotësuar, pasi deri më tani janë të konfirmuar vetëm tri ekipe: Italia, Serbia dhe Zvicra.

Trajneri i mirënjohur shqiptar, Mirel Josa është prononcuar për ‘GazetaBlic Sport’, atje ku tha se nuk ka ndonjë kundërshtar të preferuar për grupin e Kombëtares së Shqipërisë.

Nuk kam ndonjë preferencë të veçantë. Çështja është se si do të jemi ne si skuadër dhe se çfarë problemesh do të kemi në ‘Euro 2024″, tha fillimisht Josa.

Mirel Josa

Tutje, Josa u pyet se a do ta dëshironte Serbinë në grupin e ‘Euro 2024’, gjithmonë duke marrë parasysh problemet që ndodhen në kualifikueset e Euro 2016, poashtu rrethanat politike.

Po, pse jo? Futbollistët dhe federatat respektive nuk duhet të ngatërrojnë sportin me politikën. Ne duhet të përgatitemi psikologjikisht për çdo situatë“, përfundoi Josa.

/GazetaBlic Sport/