Lajme

Shqipëria në ditën e katërt të përmbytjeve, 13211 hektarë tokë dhe 1587 banesa nën ujë

01/09/2026 16:23
nga:Y I

Në ditën e katërt nga moti i keq, janë 1587 banesa dhe 13211 hektarë tokë të përmbytura.

Bilanci u shpall në mbledhjen e këshillit të Emergjencave Civile të cilin e drejtori kryeministri Rama. Për situatën e krijuar janë vënë në dispozicion 50 milionë euro, dhe sipas kreut të ekzekutivit, do dëmshpërblehen banorët e prekur.

Ndërkohë sot është shfaqur që përmirësim i situatës në disa zona, ku ka nisur tërheqja e ujit.

Në Durrës vijon të mbetet problematike, edhe pse në disa zona ka shenja të përmirësimit. Në Durrësin e Ri (ish-Kënetë), strukturat e emergjencave dhe grupet e shërbimit ndodhen në terren, ku po punohet për normalizimin e plotë të situatës. Paralelisht, vijojnë verifikimet dhe vlerësimet në banesat e përmbytura, ku deri më tani janë konstatuar 2 380 banesa të prekura nga uji. Në qytetin e Durrësit, situata është ende e ndjeshme. Aktualisht janë 356 persona të evakuuar, prej të cilëve 123 janë akomoduar në hotele, ndërsa 304 të tjerë janë strehuar në dy konvaleshencat e ministrive të Brendshme dhe të Mbrojtjes.

Në Sukth, situata paraqitet disi më e lehtësuar. Në zonën e Vadardhës, uji ka nisur të tërhiqet, megjithatë autoritetet mbeten në gatishmëri për shkak të pasojave të shumta të përmbytjeve. Në këtë zonë janë evakuuar 322 persona, nga të cilët 76 janë strehuar në hotele, ndërsa 246 pranë familjarëve.

Prurjet e lumit Vjosa kanë shënuar rënie gjatë natës. Aktualisht, prurjet e ujit janë ulur dhe niveli i ujit te Ura e Mifolit është 8.4 metra, duke bërë që uji të tërhiqet gradualisht nga zonat e përmbytura. Megjithatë, situata mbetet problematike në zonën e Bishanit, ku nënkalimi vijon të jetë i mbuluar nga rreth 2 metra ujë, duke e bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve.

Situata hidrometeorologjike në qarkun e Fierit paraqitet më e qëndrueshme, ndërsa autoritetet raportojnë për ulje të niveleve të lumenjve dhe funksionim normal të infrastrukturës kryesore.

Situata në qarkun e Korçës vijon të jetë problematike në disa zona, si pasojë e reshjeve të shiut, borës dhe temperaturave të ulëta.

Problematika janë evidentuar në disa zona të bashkisë Gramsh, ku si pasojë e motit të keq dhe temperaturave të ulëta është raportuar ndërprerje e energjisë elektrike dhe bllokim të fshatrave për shkak të dëborës.

14:45 Reshje shiu dhe dëbore, paralajmëron sinoptikani: Vijon rreziku i përmbytjeve. Termometri do të shkojë në minus gradë

Sinoptikani Hakil Osmani, nga Metoalb, në një lidhje të drejtpërdrejtë për ‘Shqipëria Live’ bëri një parashikim të motit për ditët në vijim. Ai paralajmëroi se temperaturat do të zbresin në disa gradë minus, ku nuk do të mungojnë reshjet e shiut, dëborës dhe erë me shpejtësi deri në 80 km/h.

14:49 Moti i keq, bashkia e Durrësit thirrje qytetarëve: Shmangni lëvizjet e panevojshme

Sipas parashikimit të motit, Durrësi pritet të përballet me erëra të forta në orët në vijim. Autoritetet lokale u kanë bërë thirrje banorëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes maksimal. “Sipas parashikimeve meteorologjike, qyteti ynë pritet të përballet me erëra të forta.

14:33 Video/ Përmbytjet nuk kursejnë as varrezat e fshatit Jubë të Durrësit, uji mbulon territorin

Përmbytjet e fundit nuk kanë kursyer as varrezat e fshatit Jubë në Durrës. Uji ka mbuluar të gjithë territorin, ndërsa banorët, që po vuajnë edhe vetë pasojat e përmbytjeve, nuk kanë mundur të kujdesen për banesat e fundit të të afërmve./TCh/