Lajme

Shqipëria, më shumë lindje në rajon, përllogaritjet tregojnë ritëm më të ulët të tkurrjes së popullsisë se vendet e tjera

04/23/2024 15:49
nga:G B

Shqipëria ka një trend pozitiv sa i përket demografisë së saj. Në garën globale të popullsisë, vendi ka një raport më të mirë sa i përket lindshmërisë, uljes së numrit të vdekjeve dhe migracionit neto në raport me Evropën dhe vendet e tjera të rajonit.

Ndërsa popullsia e Evropës Juglindore pjesë e cilës jemi pjesë, po vuan një tkurrje popullsie në përmasa të frikshme me gati 2%, Shqipëria është në rangun e shteteve me ritëm të ngadalësuar në 0.23%.

Sipas shifrave të faqes së mirënjohur World Population Review në kontinentin evropian vetëm Spanja dhe Gjermania ka performuar më mirë se Shqipëria.

Popullsitë e vendeve tona fqinje po tkurren në një ritëm më të shpejtë se ne nga 0.5% në 1%, ku Serbia shënoi rënien më të ndjeshme gjatë 2023-it. Greqia sipas statistikave ka një rritje të papritur të vdekjeve dhe ulje të numrit të lindjeve me vendin që rrezikon të bëhet i pari në botë që përjeton atë që quhet “kolapsi i popullsisë”.

Statistikat e gjera tregojnë se pothuajse të gjithë vendet e BE-së dhe ish-bashkimit sovjetik po vuajnë nga ky fenomen. Moldavia qëndron në krye të renditjes për tkurrjen më të fortë të popullsisë me 3.4% , ndërsa në pesëshen e parë bëjnë pjesë edhe Polonia, Hungaria, Sllovakia dhe Rumania. Edhe vendet baltike, si dhe Rusia po goditen nga trendi i tkurrjes së popullsisë në shifra të frikshme.

Ndërkohë rritje të numrit të popullsisë kanë përjetuar vetëm shtete si India, Argjentina dhe Nigeria, ndërsa e para për rritjen e popullsisë në botë qëndroi Siria në Lindjen e Mesme./TCH