Blerja e një banese po bëhet gjithnjë më e vështirë në vendin tonë. Sipas llogaritjeve, një familjeje i duhet te punoje me shume se 16 vjet per ta pasur ne pronësi.
Një familjeje mesatare shqiptare i duhen mesatarisht 16.3 vite pune për të blerë një apartament. Në të gjitha vendet e tjera në Europë, koha e blerjes varion nga 6 vjet në Danimarkë në 15 vite e 8 muaj në Serbi. Llogaritjet dalin në agjencinë Numbeo e cila mat çmimin e banesës dhe të ardhurat për vitin 2025.
Kjo është hera e parë që Shqipëria del në fund të listës për raportin e çmimeve të apartamenteve ndaj të ardhurave në 36 shtete të matura.
Në vitin 2024, llogaritej se nevojiteshin 13.8 vite për blerje banese dhe zgjerimi i kohës për përballimin e cmimit tregon për një rritje më të shpejtë të çmimeve të apartamenteve në raport me të ardhurat.
Në Shqipëri, paga mesatare arrin në 780 euro, ndërsa cmimet e apartamenteve per m2 në kryeqytet janë minimalisht 1000 euro. Banka e Shqipërisë ka vlerësuar se çmimet e banesave iu kthyen rritjes së shpejtë në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar.
Indeksi Fischer i përllogaritur nga Banka e Shqipërisë tregoi që çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë periudhës u rrit me 23.6% në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar, dhe me 44.5% në krahasim me një vit më parë.


