Shqipëria po përjeton një nga momentet më të mira para sfidës me Andorrën.
Përballja e së enjtes është padyshim ndër më vendimtaret, pasi nga kjo transfertë varet jo pak kualifikimi në raundin play-off të Kupës së Botës 2026.
Kuqezinjtë e Sylvinho kanë një bilanc fantastik në vitin 2025, me 5 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje, atë në fillimin e kualifikueseve të Kampionatit Botëror kundër Anglisë. Gjashtë nga këto takime i përkasin pikërisht eliminatoreve, me Shqipërinë që është shumë pranë arritjes së play-off-it për në kompeticionin më të rëndësishëm që zhvillohet vitin e ardhshëm në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Përpos humbjes 2-0 ndaj Anglisë dhe barazimit pa gola ndaj Serbisë në Tiranë, skuadra jonë ka gjetur gjithmonë golin. 11 herë kanë shënuar futbollistët tanë në 6 ndeshje, me një mesatare prej thuajse 2 golash për çdo 90 minuta.
Stadiumi “Air Albania” është një fortesë, pasi kemi regjistruar vetëm rezultate pozitive në 2025, me 3 fitore dhe një barazim, teksa meritë ka padyshim edhe trajneri Sylvinho e stafi teknik.


