Mungesa e fuqisë punëtore mbetet një nga sfidat më të mëdha për bizneset shqiptare, por jo çdo individ me diplomë universitare gjen vend në tregun e punës.
Shifrat tregojnë se vitin e kaluar, 19 mijë persona me arsim të lartë ishin të papunë dhe afro 13 mijë ishin të moshës 25 deri në 64 vjeç.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se numri i të papunëve me arsim të lartë për grupmoshën mbi 15 vjeç pësoi rënie, pasi në vitin 2023 kishte 22 mijë punëkërkues me diplomë universiteti.
Arsyet pse kjo kategori e ka të vështirë të gjejë punë lidhen me strukturën e tregut të punës dhe me cilësinë e arsimit.
Problemi më i madh është mospërputhja mes diplomave që prodhon sistemi arsimor dhe nevojave reale të tregut të punës.
Universitetet shqiptare vazhdojnë të nxjerrin një numër të madh juristësh, ekonomistësh dhe menaxherësh, ndërkohë që tregu kërkon më shumë profesione teknike, inxhinierë, IT, turizëm dhe zanate të specializuara.
Si rezultat, shumë të diplomuar mbeten pa punë ose pranojnë punë nën nivelin e tyre të kualifikimit.
Me pozitat që ka sjellë emigrimi, edhe paga është faktor për të cilin individët nuk pranojnë të lidhin një kontratë afatgjatë me punëdhënësit.
/Euronews Albania/


