Lajme

Shqipëri, zhvillimet në vitin 2024, SPAK protagonist

12/30/2024 22:51
nga:G B

Në Shqipëri, Struktura e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK, ishte dhe gjatë vitit 2024 protagonist i zhvillimeve në vend, me një seri vendimesh dhe hetimesh, që vunë në shënjestër mjaft zyrtarë edhe të niveleve më të larta. Ngjarje të tjera gjithashtu lanë gjurmë të rëndësishme, që nga vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit Blinken në Tiranë, te përparimi i vendit drejt BE-së, debatet që përfshinë Gjykatën Kushtetuese apo dhe luftën e ashpër politike të dominuar nga protestat e opozitës.

ME SYTË NGA SPAK

Një numër i lartë politikanësh, zyrtarësh e funksionarësh shtetërorë, hynë në godinën ku ndodhet Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme. Disa thjesht si dëshmitarë, disa të tjerë si të dyshuar. Por shumica do të dalin prej andej me akuza mbi shpinë apo dënime. Mes tyre dhe ish presidenti Ilir Meta.

Në daljet e tij të shpeshta publike, zoti Meta do të shfaqet gati mospërfillës ndaj hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, që përfshijnë atë vet, pasurinë e tij e të familjes. “Kam qenë gjithë jetën në hetim”, do të deklarojë ai në një konferencë shtypi me gazetarët.

Por ndërsa duket se hetimet po përparojnë, dhe në pyetje merret edhe vjehrra e tij (11 prill), zoti Meta intensifikon sulmet dhe epitetet fyese ndaj drejtuesit të Prokurorisë, Altin Dumani: “Unë jam Ilir Meta, o superbudallenj, e supertorollakë, kudo që jeni në politikë e në SPAK”.

Po në këtë kohë zoti Meta do të ndërmarrë një lëvizje për spastrime në nivelet drejtuese të partisë. Goditja kryesore, nën motivin e luftës kundër nepotizimit, do të bjerë mbi bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, e cila mbetet jashtë strukturave drejtuese. Raportet mes tyre, janë në pikën që nuk druhen më ta fshehin krizën as në publik. Më 19 prill, ata do të përplasen hapur gjatë mbledhjes së Komitetit drejtues të Partisë së Lirisë. “Kam dhimbje kur shikoj se si shkërmoqet imazhi i Ilir Metës. Kam dhimbje kur shikoj se si një burrë Shteti firmos një letër paçavure të ndërtuar nga një administrator godine”, do të shprehej në mbledhje zonja Kryemadhi. Por zoti Meta do të këmbëngulë në dëmet që sipas tij, nepotizimi i ka sjellë partisë: “Nepotizimi ka përzënë gjysmën e atyre që na votuan”.

Marrëdhëniet mes tyre prej kohësh kanë pësuar një krisje të fortë. Në qershor zoti Meta do të qëndrojë për afro tre orë në Prokurorinë e Posaçme për çështjen e pasurisë. Një ditë më parë, për të njejtën çështje atje kishte qenë dhe zonja Kryemadhi. Në dalje ai do të deklarojë se ishte pyetur për çështje që nuk lidheshin me të, por “që kanë të bëjnë me veprimet e të tjerëve, të miqve, shokëve dhe bashkëpunëtorëve të SPAK-ut”.

Pak orë më pas, nga selia e partisë, ai do t’ia linte përgjegjësinë zonjës Kryemadhi: “As çështje pronash, as çështje financiare, nuk kam patur asnjë përgjegjësi. Të gjitha përgjegjësitë në mirëbesim i ka patur Monika”.

Ndarja mes tyre nuk është vetëm politike. Pak ditë më vonë ai do të kërkojë dhe divorcin në gjykatë duke sqaruar se “nuk po ndahem me një grua për një grua tjetër. Por, për të përmbushur, kauzat që unë mbroj, dhe për të cilat, kjo marrëdhënie ishte kthyer në një pengesë serioze”.

Më 21 tetor, zoti Meta do të arrestohet, në hyrje të Tiranës. Pamjet që tregojnë se si ai nxirret me forcë nga automjeti ku ndodhej, provokuan debate të forta. Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi, do të flasë për “një akt të pashembullt terrorist”. Ndërsa kryetari i PD-së, Sali Berisha do të shprehej se “persekutimi i Ilir Metës, është politik, politik dhe vetëm poitik”.

Por policia do të deklarojë se zoti Meta “ka reaguar në mënyrë refuzuese dhe kundërshtuese dhe ka lëshuar fjalë fyese” në drejtim të përfaqësuesve të policisë dhe drejtësisë, ndaj “është nxjerrë nga automjeti dhe është shoqëruar forcërisht”.

Ish presidenti i vendit dyshohet për tre vepra penale, “korrupsion” në 3 raste, “pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”. Ai do të mohojë në mënyrë kategorike të ketë shkelur ligjet, duke e konsideruar veten një objektiv politik të Prokurorisë.

Për të njejtat dyshime, ndaj zonjës Kryemadhi, do të vendoset detyrim paraqitje. Ndërsa një muaj më pas, vila ku ajo banon, në një zonë residenciale të Tiranës, do të vihet nën sekuestro.

BERISHA, MUAJT E GJATE TË IZOLIMIT

Mbështetësit besnikë të zotit Berisha poshtë pallatit ku ai banon, shoqëruan çdo pasdite qëndrimin e tij në arrest shtëpie. “Ju jeni misionarët e kësaj luftë, që nga kjo rrugicë do të shtrohet në të gjithë rrugët e rrugicat e Shqipërisë”, do t’u deklaronte e bija e tij Argita Malltezi, përkrahësve të ish kryeministrit më 2 janar.

Beteja e ish kryeministrit me Drejtësinë do të vijojë e pandërprerë gjatë gjithë vitit, duke shfrytëzuar çdo mekanizëm juridik. Kërkesat e tij të përsëritura për ndryshimin e masës së sigurisë, do të rrëzohen në të gjitha shkallët e gjyqësorit, sikundër dhe ajo për pjesmarrjen e tij në punimet e parlamentit.

Zoti Berisha do të thirret dy herë në Prokurorinë e Posaçme. Më 23 janar, shkon për t’u marrë në pyetje. Në momentin e mbërritjes, ai pritet mes brohoritjeve të mbështetësve të tij duke deklaruar se “jam sot këtu për të denoncuar Edi Ramën, dhe grupin e organizuar kriminal në këtë ndërtesë”.

Pas afro 90 minutash ai do të dalë duke deklaruar se dyshimet e ngritura ndaj tij se duke shfrytëzuar pushtetin favorizoi dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi janë vetëm “shpifje, trillime, mashtrime, falsifikime.”

Ai do të rikthehet në Prokurorinë e Posaçme në 11 shtator. I rrethuar sërish, nga mbështetës të tij, dhe nën brohoritjet e tyre ai do të deklarojë se “po shkoj të marr akuzën politike, dhe të njihem me materialet që kanë manipuluar”.

Zotit Berisha iu komunikua akuza e korrupsionit. Një muaj më pas Prokuroria e Posaçme do të dërgojë kërkesën për gjykim.

Më 21 nëntor ai do të humbasë një tjetër përballje me Drejtësinë, ndërsa Gjykata Kushtetuese, i dha të drejtë Prokurorisë së Posaçme për masën fillestare të sigurisë, lëshuar pa kërkuar autorizimin e parlamentit.

Por pak ditë më pas, më 27 nëntor, Gjykata e Posaçme do t’i heqë atij arrestin në shtëpi, një vendim të cilin ai e konsideron si një fitore, ndërsa flet para simpatizantëve të tij, të mbledhur për ta pritur në selinë e Partisë: “Sot nuk fitoi Sali Berisha. Sot ka fituar e vërteta, sot ka fituar ligji dhe kushtetuta”.

GODITJET QË TRONDITËN BASHKINË E TIRANËS

Goditjen e parë kryebashkiaku Erion Veliaj do ta marrë në fund të vitit të kaluar, kur, në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Tiranës, do të arrestohej drejtori më i rëndësishëm Bashkisë Taulant Tusha.

Ndërsa në fund të muajit mars, të njejtin fat do të kenë dhe dy ish Drejtorë të tjerë të cilët dyshohet se ishin pronarët realë të kompanisë së ndërtimit, “5D” e cila kishte përfituar nga fondet publike të Bashkisë. Një urdhër i dytë arresti del dhe për Tushen, ndërsa masa më të lehta do të jepen për 4 drejtuesë apo ish drejtuesë të agjencive në varësi të Bashkisë

Zoti Veliaj do të reagojë një javë më vonë, më 6 prill: “Asnjë përfitim i paligjshëm personal, nuk më ka lidhur me ta dhe askënd tjetër”, do të deklaronte ai në një mesazh të gjatë publik.

Nën akuzat e opozitës për përfshirjen e tij dhe në inceneratorin e Tiranës ai do të deklarojë se me atë projekt “e vetmja gjë që më ka lidhur, ka qenë pastrimi i këtij qyteti”.

Ndërkohë Partia Demokratike ka nisur protestat përpara Bashkisë për të kërkuar dorëheqjen e tij. Ato do të jenë të përjavshme e do të vijnë duke u përshkallëzuar, nga përplasjet e dhunshme te hedhja e molotovëve e djegia e gomave në javët e muajt që pasojnë, derisa fillojnë të zbehen.

Në fund të muajit prill, zoti Veliaj do të thirret në Prokurorinë e Posaçme. Pas 7 orësh, ai do të dalë i qeshur. Si për të relativizuar dhe arsyet e kohës tejet të gjatë të qëndrimit, ai do të shprehej se kishte qenë aty si bashkëpunëtor me prokurorët dhe hetuesit, të cilët madje i quajti kolegë. “Patëm një shterrim total të çështjes së inceneratorëve”. Ai do ta distancojë Bashkinë nga procesi i inceneratorëve.

Por deklaratat një ditë më pas të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, në dalje nga Prokuroria për të njejtën çështje, do të ngrenë shumë hamendësime: “Kjo është një dosje që ka bërë pis, të madh e të vogël dhe i ka ardhur koha të zbardhet”.

Një shkresë e Prokurorisë drejtuar Bankave do të zbulojë se ndaj zoti Veliaj dhe familjarëve të tij të ngushtë po zhvillohet një hetim pasuror.

Në fillim të dhjetorit oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, do t’i sekuestrojnë celularin bashkëshortes së tij, Ajola Xoxes. Kontrolle do të ushtrohen dhe në zyrat e kompanive të saj dhe të vëllait të kryebashkiakut. Të gjitha në kuadër të një procedimi penal për “Korrupsion pasiv të të zgjedhurve vendorë”, por që siç do mësohet më pas, nuk do të jetë e vetmja vepër penale. Zoti Veliaj do të reagojë në mbrëmje duke u shprehur se mbështet çdo hap procedurial të Prokurorisë.

Ndaj tij nuk ka një akuzë. Në ditët e fundit të vitit, më 26 dhjetor, ai do të paraqitet sërish në Prokuroinë e Posaçme. Pas 5 orësh qëndrim, ai del prej andej pa bërë komente, por do të flasë shkurtimisht pak orë më vonë nga mbledhja e Këshillit Bashkiak, duke deklaruar se ndaj tij ka një kallëzim anonim dhe “duke qenë se kryetari i Bashkisë ka në otërim të gjithë rregjistrin civil, dhe mund të verifikojë qartazi që është një kurth i sajuar, kam qenë bashkëpunues”.

Të nesërmen Prokuroria e Posaçme do të bëjë të ditur, se hetimi që ka përfshirë kryebashkiakun, po kryhet dhe për veprat penale “Korrupsion aktiv”, “Pastrim parash” e “Fshehje të pasurisë”.

Pozita e tij edhe politike ka marrë tashmë tronditje të forta. Më herët, ai do të shmangej dhe nga drejtimi politik i partisë socialiste në Tiranë, si dhe do të lihej jashtë një angazhimi në vijë të parë, për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

BEQAJ, JO VETËM STERILIZIMI

Nën masën Detyrim paraqitje, për rastin e konçensionit të Sterilizimit ish ministri i Shëndetësisë, do të shfaqej çdo të premte në dyert e Prokurorisë së Posaçme. Ish zëvendësi i tij Klodian Rrjepaj është në burg e po ashtu dhe sipërmarrësi Ilir Rrapaj, cili zotëronte 40 përqind të aksioneve të konsorciumit që kishte fituar konçensionin. Aksione të cilat do të vihen nën sekuestër (8 shkurt) së bashku me dy kompani, automjete dhe llogari rrjedhëse të tij

Në përfundim të hetimeve, në 18 mars, zotit Beqaj do t’i komunikohet akuza për shpërdorim detyre. Ai do të deklarojë: “Unë, të vërtetën time do ta përballoj në gjykatë”.

Por më parë, atij do t’i duhet të përballojë një tjetër hetim që çon në arrestimin e tij në fillim të muajit korrik, nën dyshimet për përfshirje në një skemë korrupsioni për përfitime nga fondet e Agjencisë së koordinimit të ndihmës së huaj (SASPAC), të cilën e drejtonte që prej vitit 2021, si dhe për fshehje të pasurisë. Urdhëra arresti do lëshohen dhe për disa të tjerë, mes të cilëve dhe një bashkëpunëtor i ngushtë i tij.

Një muaj më pas, në 21 gusht, atij dhe personave të përfshirë në këtë çështje do u sekuestrohen llogari e depozita bankare si dhe aksione në një restorant në Tiranë. Në tetor, po ashtu do t’i sekuestrohet dhe një apartament në zonën e Lungomares në Vlorë.

Një tjetër goditje të fortë do ta marrë në ditët e fundit të vitit, kur me kërkesën e Gjykatës akuza për shpërdorim detyre, në rastin e sterilizimit do të ndryshojë në “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, bashkë me Rrapajn dhe Rrjepajn

RADHA NË DYERT E SPAK

Në dyert e Prokurorisë së Posaçme nuk do të mungojnë as deputetët, ndonëse në pozita të ndryshme. Ndërsa demokrati Asllan Dogjani do të akuzohet për deklarim të rremë të pasurisë, lidhur me blerjen e një apartamenti vite më parë, kolegu i tij socialist Plarent Ndreca, do të duhet të përgjigjet në gjyq për shkeljet e procedurave të një tenderi, në kohën kur ai ishte Sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme.

Por rasti më i rëndë do të jetë ai i socialistit tjetër Ergys Çyrbja. Fillimisht ai jep dorëheqjen në mënyrë të papritur më 10 tetor, dy ditë pasi kishte qenë në Prokurorinë e Posaçme. Të nesërmen atij i komunikohet akuza e Shpërdorimit të detyrës, kur kishte drejtuar Hipotekën e Durrësit. Por pak ditë më vonë ai do të arrestohet, nën akuza të rënda. Hetimet zbulojnë lidhje të tij me elementë të krimit të organizuar, favorizim të tyre në këmbim të votave, por jo vetëm. Falë mbështetjes së tyre ai do të katapultohej në vendet e para të listës së kandidatëve socialistë në Durrës.

Kryebashkiakë dhe ish drejtuesë Bashkisë do të zënë numrin me të madh të zyrtarëve që do të përfundojnë në dosjet e SPAK, kryesisht për shpërdorim detyre apo korrupsion. Mes tyre do të bjerë në sy dhe kryetari i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci, i cili do të vihet nën hetim, ndonëse për një çështje që nuk lidhet me detyrën e tij aktuale.

Për disa të tjerë, me llogari të hapura që një vit më parë, do të jepen dhe dënimet, si për ish kryebashkiakun e Kukësit Safet Gjici, në të dy shkallët e gjykimit, apo Vangjush Dakon, i cili u dënua në shkallë të parë.

Në çështjen e inceneratorëve, për rastin e Elbasani, Apeli rëndon akuzat për ish ministrin Lefter Koka dhe shpall fajtor ish deputetin Bllako. Për atë të Fierit Apeli e kthen për rigjykim me një tjetër trupë gjyqësore, ndërsa për Tiranën, përfundojnë hetimet për pjesën më të madhe të të akuzuarve. Dosja në vetvete nuk është ende e mbyllur.

VIZITA E BLINKEN-IT DHE HAPAT PËRPARA ME BE

Vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Tiranë, do të përfaqësojë një moment kulmor në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Ndërsa hapja konkrete e bisedimeve për anëtarësim me BE-në, shënon një pikë kthese të rëndësishme drejt ambicies për anëtarësim.

Vizita e Sekretarit Blinken në Tiranë, më 15 shkurt, do të zgjasë 8 orë. Ai do të pritet nga presidenti Begaj si dhe do të ketë një takim të gjatë me kryeministrin Edi Rama. Në konferencën e përbashkët për shtyp ai deklaron se “partneriteti i SHBA-ve me Shqipërinë është më i fortë se ç’ka qenë ndonjëherë”.

Ndërsa zoti Rama e vlerësoi të veçantë vizitën e tij në Tiranë: “Është shenjë shumë e rëndësishme e miqësisë dhe e vlerësimit, që ju i bëni kësaj miqësie, këtij partneriteti dhe këtij rajoni patjetër”.

Në fjalën e tij, Sekretari i Shtetit nuk u ndal as në zhvillimet në rajon as për çështjen e Kosovës. Por në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve ai theksoi se “dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga Bashkimi Europian është shtegu i duhur dhe i vetmi nga palët duhet të kalojnë”.

Vizita e tij u shenjua dhe nga dy momente jo të zakonshme, për një shef diplomacie. Takimi, ndonëse i shkurtër me 4 drejtuesë të institucioneve të Drejtësisë, i cili ishte qartazi një konfirmim i mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për reformën në Drejtësi. Dhe takimi i munguar me përfaqësuesit e opozitës, siç nuk kishte ndodhur më parë, me vizitat e pararendësve të tij në Shqipëri.

SAMITI PËR UKRAINËN

Dy javë pas vizitës së sekretarit Blinken do të presë presidentin ukrainas Volodimir Zelensky, mbërritur në Tiranë për Samitin Ukrainë Europa juglindore më 28 shkurt. Takimi me kryeministrin Rama do të shënojë fillimin e një dite intensive në kryeqytetin shqiptar. Në një postim në rrjetin social X, presidenti ukrainas do të bënte të ditur se së bashku kishin diskutuar “ndër të tjera dhe për nevojat e mbrojtjes së Ukrainës dhe mundësinë e prodhimit të përbashkët të armëve”.

Një ide të cilën ai do ta hidhte më pas si një ftesë drejtuar vendeve të rajonit, ndërsa theksoi nevojën e mbështetjes së vendit të tij në luftën kundër agresionit rus: “Ne shikojmë probleme me furnizimin me municione, të cilat ndikojnë situatën në fushën e betejës dhe prandaj jemi të interesuar në bashkëprodhimin e municioneve me ju dhe me partnerët tanë

Kryeministri Edi Rama, do të ketë po ashtu një thirrje për vendet më të mëdha e më të pasura të bashkësisë demokratike që të mos kursehen në mbështetjen e tyre: “ajo nuk duhet të jetë peng i politikave të brendshme ditëshkurtra, apo i vonesave demokratike. Mos u gaboni! Ukraina nuk po lufton veç për veten, por për gjithçka në të cilën besojmë, qëndrojmë dhe punojnë”, tha ai.

RRUGA PËR NË BE “KALON” NGA BELERI

Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit dhe përfaqësuesë të lartë të Komisionit Europian do të mblidhen në Tiranë, më 29 shkurt, për të diskutuar rreth Planit të rritjes, një instrument i ri në mbështetje të procesit të zgjerimit. Pavarësisht deklaratave të përsëritura të Brukselit se zgjerimi është ndër prioritetet e tij, procesi do të vijojë të mbetet shpesh, peng i qëndrimeve të njëanshme të ndonjë vendi anëtar. Problemet me Bullgarinë do të lënë në vendnumëro Maqedoninë e Veriut, ndërsa përparimi në bisedimet për anëtarësim të Shqipërisë, do të lidhen me fatin e krebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri.

Komisioneri Varhelyi do të shprehej hapur se në Bruksel të gjitha janë dakortësuar me faktin se “Shqipëria është gati për të hapur negociatat për grup-kapitullin e parë”, duke shtuar se “unë nuk e kuptoj dot se pse nuk e marrim dot ne këtë vendim, edhe pse e kuptoj tërësisht rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, por nuk mund të ndërtohen marrëdhënie të tilla dhe të mira me fqinjët në rast se ti e bllokon tjetrin për të ecur përpara”.

Në të dy shkallët e gjyqësorit (më 5 mars në shkallë të parë dhe 25 qershor në Apel) zoti Beleri do të dënohet me 2 vjet burg për korrupsion aktiv në zgjedhje. Akuzë të cilën ai do ta mohonte me këmbëngulje. Në ndërkohë (9 qershor), ai është zgjedhur dhe eurodeputet i Greqisë nën flamurin e partisë së kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis. Në mesin e korrikut, drejtoria e Burgjeve do t’i japë 5 ditë leje për të marrë pjesë në mbledhjen e parë të parlamentit europian. Por përpara se të shkojë në Strasburg, ai do të bëjë një ndalesë në Athinë, ku kryeministri Mitsotakis, i rezervon një takim të posaçëm.

Në Tiranë janë të bindur se tanimë zhbllokimi i rrugës së Shqipërisë është vetëm çështje kohe. “Ma merr mendja se koha e pritjes së kalendave greke, i përket sot e gjithë ditën, të shkuarës”, theksoi më 26 gusht ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, gjatë takimit me ambasadorët e Shqipërisë në botë.

Në fillim të shtatorit, kur nga dënimi i kanë mbetur dhe 6 javë, zoti Beleri do të lirohet me kusht. Pak javë më pas, në mes të tetorit, Shqipëria do të ulet në tryezën e bisedimeve për grupkapitujt e parë. Për kryeministrin Rama, ky moment “shënon një gur themeli historik në rrugëtimin e përbashkët drejt ribashkimit tërësor europian”.

Siç nuk ka ndodhur kurrë më parë, në harkun e dy muajve Shqipëria do të hapë dhe një tjetër grupkapitulli, ndërsa ambicia e qeverisë është që bisedimet të mund të përmbyllen në vitin 2027.

KUSHTETUESJA, NGA MANDATI I XHAÇKËS TE MANDATI I ZAÇAJ

Gjykata Kushtetuese do të ketë në dorë një sërë çështjesh të rëndësishme që lidhen me vendimmarrjet e qeverisë apo parlamentit, duke rrëzuar një pjesë të mirë të tyre. Por çështja e mandatit të ish ministres Olta Xhaçka, do ta fusë atë në konflikt me shumicën në pushtet. Ndërsa në fund të vitit, qëndrimi i kryetares Olta Zaçaj për përfundimin e mandatit të saj, rrezikoi një përplasje të fortë me Gjykatën e Lartë.

Ishte nëntori i vitit 2022, kur socialistët hodhën poshtë kërkesën e opozitës për papajtueshmërinë e mandatit të ish ministres Olta Xhaçka. Në Janar të vitit 2023 Gjykata Kushtetuese, do të kërkonte që rasti t’i kalonte asaj për shqyrtim, por kjo kërkesë do të zvarritet për shumë kohë derisa vetëm në prill të këtij viti Këshilli i Mandateve do të përmbyllte procedurat. Socialistët e lënë të paqartë qëndrimin e tyre

Do t’i propozojmë seancës plenare të vendosë në lidhje me dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese”, deklaron kryetarja e Komisionit të Ligjeve, socialistja Klotilda Bushka në mbledhjen e Këshillit të Mandateve.

Në seancën e pak ditëve më pas, zonja Xhaçka do të shprehet: “Unë dhe familja ime nuk kemi përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike, Zero”. Më pas vota e socialistëve bllokon sërish dërgimin e çështjesh në Gjykatën Kushtetuese, me arsyetimin se deputeti është i lirë në vendimmarrjen e tij. “39 vota pro, asnjë abstenim, 72 kundër”, njoftoi rezultatin e votimit kryetarja e e atëhershme e Kuvendit, Lindita Nikolla. Zoti Bardhi shprehet se kjo është një “ditë e zezë për Shqipërinë, një ditë e zezë për parlamentin”.

Gjykata Kushtetuese do të vihet sërish në lëvizje nga opozita (24 prill) dhe në vendimin e saj disa muaj më pas (10 korrik) do t’i përmbahet të njëjtit qëndrim. “Gjykata thekson se Kuvendi mbart detyrimin për ekzekutimin pa vonesë të këtij vendimi”, deklaroi Holta Zaçaj, kryetare e Gjykatës Kushtetuese.

Por dhe socialistët, po ashtu nuk ndryshojnë qasje, dhe në 12 shtator do të zgjedhin të mos votojnë kundër, e të abstenojnë në masë, për të marrë megjithatë, të njëjtin rezultat.

Të nesërmen kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali do t’i drejtohet Komisionit të Venecias. Në dhjetor ajo do të jetë vetë në seancën plenare të këtij Komisioni. Në Opinionin e publikuar pak ditë më pas, Komisioni i Venecias ndonëse thekson qartë se deputeti nuk mund të detyrohet se si të votojë, thekson se “për rastin konkret, Gjykata kishte dhënë dy vendime, dhe zbatimi efektiv i këtyre vendimeve nuk mund të kushtëzohet nga votimi ose shumica parlamentare”.

Megjithatë socialistët zgjedhin të lexojnë vetëm pjesën që u përshtatej pozicionit të tyre, duke bërë që çështja të mbetet pezull.

MANDATI I ZAÇAJT

Dita e publikimit të opinionit, do të koincidojë me datën kur Gjykata Kushtetuese duhet të deklaronte përfundimin e mandatit të kryetares Holta Zaçaj.

Kjo e fundit mori detyrën në janar të vitit 2023, duke pasuar gjyqtaren Vitore Tusha, mandati i së cilës kishte përfunduar në 10 mars të vitit 2017. Emërimi i saj, përfshihej në skemën e parashikuar në dispozitat kalimtare të Kushtetutës, e cila garantonte ripërtëritjen e Gjykatës çdo tre vjet, me nga tre anëtarë.

Por zonja Zaçaj zgjodhi të bënte një interpretim personal të rastit të vet, duke deklaruar se sipas saj mandati i përfundonte në fund të vitit 2025, e duke iu drejtuar me urgjencë, po në emër personal, Komisionit të Venecias për një opinion.

Të nesërmen (11 dhjetor), Gjykata e Lartë, si organi që e kishte emëruar atë, do të hapë procedurat e zëvendësimit, duke deklaruar se kryetarja e Gjykatës Kushtetuese e kishte patur të qartë që në fillim se mandati i saj përfundon në 10 mars 2025.

Dy institucionet më të larta të gjyqësorit do të hyjnë kështu në një kurs përplasjeje të hapur. Por brenda 24 orëve, zonja Zaçaj, bën një hap pas dhe i drejtohet trupës së anëtarëve për deklarimin e përfundimit të mandatit të saj.

Pas disa seancave të njëpasnjëshme që shtyhen, më 23 dhjetor trupa e anëtarëve të Gjykatës del në përfundimin se mandati i saj do të përfundojë më 10 mars 2025.

PS-PD, MES PROTESTAVE DHE MARRËVESHJEVE

Protestat e opozitës, si në sheshe ashtu dhe në sallën e parlamentit do të karakterizojnë përgjatë gjithë vitit marrëdhënien e vështirë me shumicën. Nuk mungojnë megjithatë dhe momente të shkurtra paqeje, të cilat sollën ndryshime në Kodin zgjedhor. Me zotin Berisha, të cilit iu njoh dhe zyrtarisht drejtimi i Partisë Demokratike, opozita do të këmbëngulë për një qeveri teknike para zgjedhjeve të majit 2025.

Protestat e opozitës brenda dhe jashtë sallës së parlamentit do të shoqërojnë jetën politike të vendit. Grupi i mbështetësve të zotit Berisha, të cilit i janë bashkuar dhe deputetët që përkrahin zotin Gazmend Bardhi, do të këmbëngulë në kërkesën për ngritjen e disa komisioneve hetimore dhe marrjen e bashkëkryesimit të Komisionit te Reformës zgjedhore, të mbajtur nga deputeti Enkelejd Alibeaj. Mbledhjet e këtij komisioni, pamundësohen nga prania e deputetëve demokratë që zaptojnë sallën e mbledhjeve.

Në një përplasje të hapur me deputetët që kanë mbetur rreth zotit Basha, të cilët nuk e përkrahin aksionin e tyre, Rithemelimi dhe grupi i zotit Bardhi do të finalizojnë shpejt bashkimin me njëri tjetrin, duke gëlltitur lumin e akuzave që kishin shkëmbyer për një kohë mjaft të gjatë.

Pas një proteste jashtë parlamentit më 5 shkurt, kreu i grupit parlamentar dhe të tijët do të shfaqen për herë të parë poshtë banesës së zotit Berisha, ndërsa një javë më vonë, zoti Bardhi do të rikthehet, pas dy vitesh largim, në selinë e PD, të kontrolluar nga Rithemelimi, duke theksuar se “ne jemi të bashkuar në diversitet, duke ruajtur secili qëndrimet tona”.

Ai dhe mbështetësit e tij do të bëhen shpejt, pjesë e strukturave drejtuese të Rithemelimit. Kreu i grupit parlamentar, do të bëhet nismëtar i një marrëveshje me shumicën e cila pranon ngritjen e dy komisioneve hetimore, si dhe të një strukture të përbashkët dialogu për diskutimin e ligjeve të rëndësishme.

I mbetur me një grusht deputetësh, kryetari demokrat do të flasë për një pazar mes palëve. “Beteja, revolucioni, shashkat, bilbilat dhe gjithçka u bëkan për karrigen e deputetit”, ironizon zoti Basha, gjatë një takimi me anëtarë të PD-së.

Në qershor ai do të humbasë dhe përfaqësimin zyrtar të partisë, pas një vendimi të Gjykatës së Apelit, e cila ia njeh atë zotit Berisha. “Ketë betejë as nuk e kemi nisur, as nuk e vazhdojmë për logo, për vulë apo për karrige”, do të shprehet zoti Basha.

Por pas kësaj dite, ai braktiset dhe nga deputetë të tjerë. Ndërsa shumica mbyll ndryshimet në kodin zgjedhor me demokratët e Berishës. Për herë të parë njihet e drejta e emigrantëve për të votuar. Ndryshon dhe formula e listave ku një e treta do të jetë e mbyllur. Partitë e vogla do të kundërshtojnë.

Marrëdhëniet në sallën e parlamentit do të acarohen sërish në fund të shtatorit pasi Gjykata e Apelit lë në fuqi dënimin me 1 vit burg për deputetin Ervin Salianji, i akuzuar për kallëzim të rremë, në rastin e audiopërgjimit të vëllait të ish ministrit të brendshëm socialist Fatmir Xhafa.

Një vendimmarrje politike, një dënim politik”, do të shprehej zoti Salianji, menjëherë pas vendimit. Ndërsa zoti Bardhi do ta konsiderojë “një shpallje lufte ndaj grupit tonë parlamentar, një shpallje lufte ndaj opozitës në tërësi”.

Ndërsa të nesërmen zoti Salianji paraqitet në polici, pak ditë më pas në parlament, në hyrje të tij, deputetët demokratë do t’i vënë flakën karrigeve të tyre. Për javë të tëra parlamenti do të jetë thuajse i bllokuar, mes tensioneve, kaosit dhe përplasjeve të forta. Një situatë e cila do të vazhdojë deri në fillim të nëntorit kur do të nisnin diskutimet për buxhetin.

Jashtë, protestat do të shpeshtohen, duke u shfaqur në mënyra të ndryshme, nga molotovët dhe djegiet nëpër Tiranë, te bllokimi i akseve rrugore deri në ditët e fundit të vitit, si një formë e asaj që opozita e quan mosbindje civile e që synon arritjen e një qeverie teknike.

Por shumica dhe kryeministri Rama nuk do duken aspak të ndikuar nga protestat e opozitës. Në fillim të vitit zoti Rama bëri dy ndryshime në qeveri. Fillimisht ai do të njoftojë (më 8 janar) krijimin e ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e cila i besohet, Blendi Gonxhes. Tre ditë më pas, një tjetër ndryshim, duke emëruar Adea Pirdenin si ministër për Administratën dhe Antikorrupsionin.

Por një ndërhyrje e fortë do të ndodhë pas 7 muajsh, kur më 28 korrik, ai do të prekë, pa dhënë asnjë shpjegim, tre institucione kyçe për një qeveri, Financat, Mbrojtjen dhe Ministrinë e Brendshme, të cilat ua beson emrave të rinj, të gjithë profile jo politike, Petrit Malja, Pirro Vengu dhe Ervin Hoxha. Një lëvizje e papritur, aq më tepër që drejtuesit e Financave dhe Ministrisë së Brendshme nuk kishin më shumë se 1 vit në detyrë.

Ndërsa befasues do të shihej ç’gradimi i zotit Balla, po aq surprizë duket dhe katapultimi nga ministër shteti në krye të parlamentit, i zonjës Elisa Spiropali, pas dorëheqjes së beftë, por të motivuar për arsye personale, të Lindita Nikollës, dy ditë më parë.

Zoti Rama do të bëjë të ditur disa javë më vonë se ai synon emra të rinj dhe për parlamentin e ardhshëm, ndërsa i bën të qartë të tijëve se kush ka më shumë se një mandat deputeti nuk do të jetë në listën e mbyllur për zgjedhjet e reja./VoA