Lajme

Shqipëri: Përfitoi nga amnistia, Sokol Sinomati arrestohet vetëm një orë pasi e shijon lirinë

04/25/2024 15:21
nga:G B

Sokol Sinomati, i njohur ndryshe si “Buzëderri”, babai i të riut Gëzim Sinomati, i cili u ekzekutua me snajper në janar në Vlorë, atentat akoma i pazbardhur, është një nga personat që përfitoi nga amnistia penale, duke përfituar lirinë të mërkurën (24 prill).

Burime për Report Tv bëjnë me dije se ai ka lënë qelinë e burgut të Fushë-Krujës një ditë më parë.

Por pak orë pas lirimit, burime bëjnë me dije se policia e Vlorës e ka arrestuar atë sapo ka hyrë në qytetin bregdetar. Sokol Sinomati ka qenë në shoqërinë e vëllait të tij.

Arrestimi është bërë për shkak se ndaj tij ka një vendim të drejtësisë italiane, që e ka dënuar me 12 vjet, 5 muaj e 26 ditë burgim, burg për organizatë kriminale e trafik ilegal emigrantësh.

“Ekzekutoi vendimin penal për shtetasin Sokol Sinomataj, 46 vjeç, të cilin Gjykata e Milanos, Itali, e ka dënuar me 12 vjet, 5 muaj e 26 ditë burgim, për veprat penale ‘Organizata kriminale’ dhe ‘Trafik ilegal i emigrantëve’”, njofton policia.

Burimet shprehen se urdhri i drejtësisë italiane kishte pak kohë që ishte në dorë të policisë shqiptare, por nuk dihet pse nuk është ekzekutuar më përpara, ndërkohë Policia e Vlorës ka ndërhyrë pasi Sinomati është liruar.

Më shumë se 100 policë blinduan Vlorën, mesditën e 9 janarit, kur edhe u varros djali i Sokol Sinomatit, për të garantuar sigurinë, pasi ky i fundit la burgun e Fushë-Krujës për të përcjellë në banesën e fundit të birin.

Sokol Sinomanti, i njohur ndryshe me nofkën “Buzëderr”, ish-pjesëtar i bandës së Gaxhait gjatë trazirave të 97-ës, i larguar nga Shqipëria në 2017-ën, ndodhej në burg pas arrestimit të tij në 2021 në Belgjikë për çështje droge. Në fund të vitit 2022 ai u ekstradua në Tiranë për një ngjarje në 2002-in në Skelë, ku i vrarë mbeti Elton Tato dhe u plagos Robert Boraku. /report-tv