Pandemia COVID-19 dhe skadimi i Rregullores për Ballkanin Perëndimor fillestar në vitin 2020 kanë krijuar ndryshime të konsiderueshme si në tregun e punës, ashtu edhe në politikën e migracionit, gjë që pritet të ketë ndikim të madh në fluksin e emigracionit të qytetarëve të Kosovës në Gjermani.
Kështu u tha në tryezën “Ikja e fuqisë punëtore nga Kosova: Sa do të ndikojë pandemia dhe rregullat e reja të migrimit të Gjermanisë në këtë fenomen?”, ku u theksua edhe nevoja për rritjen e kapaciteteve të Ambasadën Gjermane në Kosovë për vizat.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, tha se rregullorja e miratuar në vitin 2016 nuk e kufizoi numrin e vizave që jepen.
“Asnjëherë nuk ka pasur dhe nuk ka një numër maksimal të migrantëve për të hyrë në Gjermani. Vizat për studim, arsim, bashkim familjar jepen pa ndonjë kufizim, vetëm a plotësohen kushtet ligjore. Ambasada e Gjermanisë ka lëshuar 5 e 500 viza për të gjitha llojet e punësimit. Vitin e kaluar jam befasuar sesi Ambasada Gjermane ka arritur që të jap viza më shumë se çdo seksion tjetër. Jemi duke rritur numrin e stafit në seksionin e vizave. Lidhur me atë sesa viza do të lëshohen është e vështirë të them, e kemi një kuotë”, tha ai.
Zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Ilir Kapiti tha se ikja e të rinjve nga vendi shkakton një çrregullim në profesione të caktuara.
“Kjo është si pasojë e një korrupsioni dhe një keqmenaxhimi”, tha ai.
Nora Hasani nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare tha se ikja e të rinjve nga vendi mund të shihet në dy aspekte, ata që dalin për t’i plotësuar ambiciet e veta jashtë Kosovës por edhe ata të cilët dalin për të përmbushur veten, e që pastaj kthehen në vend.
“Çka po ndodh aktualisht në sektorin privat në Kosovë, mund të themi se pandemia e ka vështirësuar situatën. Edhe prej studimeve del se është sfidë që bizneset të rriten. 1/3 e të punësuarve po largohen nga Kosova dhe kjo është shumë shqetësuese. Duhet të flasim më njerëzit, t’i dëgjojmë, nuk është vetëm mungesa e vendeve të punës, është më komplekse. Ajo që do t’i mbajë të rinjtë në vend është një vizion i qartë. Ne duhet të iu japim mundësi të rinjve”, u shpreh ajo.
Gentian Gashi, hulumtues në GAP, tha se pandemia ka shkaktuar dallgë masive në ekonominë e Gjermanisë dhe pasiguri për vende të punës.
“Në Gjermani Bruto Produkti vendor kishte rënë në 11.3 përqind mes tremujorit të parë dhe të dytë të vitit 2020, papunësia kulmoi në 6.4 përqind dhe vendet e punës ranë në 3.3 përqind. Në të njëjtën kohë edhe në Kosovë shkalla e papunësisë arriti në 27.2 përqind ne tremujorin e dytë dhe numri i të punësuarve në tremujorin e parë të vitit 2020 kishte rënë për 50 mijë punëtorë. Pandemia ndikoi edhe në migrimin nga Kosova në Gjermani”, tha ai.
Drejtoresha ekzekutive e institut GAP, Nora Latifi-Jashari foli rreth efekteve ekonomike që pati pandemia në vend.
LEXO EDHE:
Hoxhaj porosit Kurtin: Të zhdukurit të jenë tema e parë në dialog me Serbinë