Lajme

Shpëtohen 108 emigrantë nga një barkë me vela në Greqi! Tetë të humbur, vazhdon operacioni i shpëtimit

06/19/2022 19:22
nga:G B

Anije të Marinës Detare greke po vazhdojnë operacionin e shpëtimit pasi një barke me vela në të cilën lundronin nga brigjet turke drejt atyre greke me destinacion Italinë .dhjetëra emigrantë, ka pësuar një defekt mekanik dhe ka filluar të fuste ujë.

Barka me vela me gjatësi 14 metra ka humbur kontrollin pak milje detare larg nga ishulli turistik i Mykonos . Deri në orët e pasdites të së dielës ekipet e ndihmës së shpejtë kanë shpëtuar 108 emigrantë, mes të cilëve 24 gra , 21 fëmijë dhe 63 burra. Por konsiderohen të humbur 8 persona mes të cilëve tre fëmijë , 3,8 dhe 15 vjec.

Operacioni i shpëtimit kryhet në kushte të vështira pasi në zonë vijojnë të fryjnë erëra të fuqishme . Në fillim janë mobilizuar tre gomone patrullimi të rojes bregdetare, ndërsa një rimorkiator ka lundruar nga Mykonos. Në kërkime marrin pjesë anijet e marinës detare dhe pritet të mbërrijë një ekip i misioneve nënujore të rojes bregdetare.

Për shkak të erërave të forta dhe dallgëve , varka me vela është tërhequr fillimisht në ishullin Agios Georgios. Sipas kërkimeve të para ajo nuk ishte e pajisur me asnjë mjet shpëtimi, ndërsa asnjë nga të mbijetuarit nuk kishte veshur jelek shpëtimi.

Ministri i Transportit dhe Politikës Ishullore, Z. Giannis Plakiotakis, i cili dha urdhër për mobilizimin e menjëhershëm të çdo mjeti të përshtatshëm për shpëtimin e të huajve ka deklaruar se : “Roja bregdetare ka shpëtuar edhe një herë jetë të emigrantëvë , të cilët qarqet e pamëshirshme të trafikantëve i vënë në rrezik vdekjeprurës, pa marrë as masat elementare të mbrojtjes. Greqia po i mbron kufijtë e saj me vendosmëri, por prioriteti i saj i parë është gjithmonë mbrojtja e jetës njerëzore”.