Sporti

‘Shpërtheu’ në lot pasi që u ndëshkua me karton të kuq, Auron Hamiti: E ndjej fanellën e Drenicës

02/27/2025 18:45
nga:Mergim Rreci

Skuadra e Drenicës ka siguruar dje një vend në gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës.

Një fitore minimale prej 1 me 0 rezultoi me një ‘biletë’ për raundin tjetër në këtë kompeticion, shkruan GazetaBlic Sport.

Njëri nga futbollistët më të rëndësishëm tek kjo skuadër, Auron Hamiti, ka mundur të jetë ‘figura tragjike’ e ndeshjes, kjo pasi që u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë skuadrën me një lojtar më pak në fushë.

Se sa i lidhur është me skuadrën nga Skenderaj u pa pikërisht në atë moment, aq sa ‘shpërtheu’ në lot, duke dëshmuar se është një futbollist me shumë përgjegjësi, i cili synon ta ndimojë klubin në çdo situatë.

Në një intervistë për ‘GazetaBlic Sport‘, Auron Hamiti tha se ai moment ishte shumë i vështirë, sepse ndjeu përgjegjësinë që skuadra mbeti në një pozitë shumë të vështirë për minutat në vazhdim.

“Mendoj se i gjithë ekipi pati një paraqitje të nivelit të lartë, duke treguar forcën e vërtetë. Sigurisht që momenti i kartonit të kuq ishte mjaft i vështirë sepse ndjeva përgjegjësinë që po e lë skuadrën time në një pozitë shumë të vështirë për minutat në vazhdim, por mënyra se si luajti skuadra deri në fund tregoi më së miri focën e grupit që mbizotëron tek ne. Tashmë është viti i dytë për mua me fanellën e Drenicës dhe këtu ndihem si në shtëpinë time këtu, normalisht, kjo më bën ta ndjej këtë fanellë me shumë emocion“, tha fillimisht ai.

Tutje, ai u pyet edhe për objektivat e kësaj skuadre në Kupën e Kosovës, ku tashmë do të synojnë edhe finalen e madhe.

“Ne do t’i marrim ndeshjet një nga një, kemi parasysh që kemi një ekip cilësor dhe jemi një grup shumë i bashkuar dhe sigurisht që do të arrijmë më të mirën, çdo sukses i arritur do të jetë i mirëpritur dhe një shpërblim për punën e jashtëzakonshme të lojtarëve, stafit dhe drejtuesve të klubit që i kemi pas në çdo hap”, vazhdoi tutje Hamiti.

Krejt në fund, ai tha se ngjitja në Superligën e Kosovës është objektivi kryesor, atje ku tashmë Drenica kryeson Ligën A me 34 pikë.

“Synimi kryesor i Drenicës është që sezonin e ardhshëm të siguroj ngjitjen në Superligën e Kosovës dhe besoj shumë se këtë synim do ta arrijmë pavarësisht sfidave me të cilat do të përballemi“, përfundoi Hamiti.

/GazetaBlic Sport/