Sporti

Shpërblimet e UEFA-s, PSG me fitimet më të larta në sezonin 2024–2025

01/15/2026 23:05
nga:Mergim Rreci

UEFA ka bërë publike shifrat zyrtare të të ardhurave të klubeve për sezonin 2024/25, duke konfirmuar një rritje të ndjeshme të fitimeve nga kompeticionet evropiane.

Në total, institucioni më i lartë i futbollit evropian ka regjistruar mbi 5 miliardë euro të ardhura, nga të cilat rreth 4 miliardë euro janë rishpërndarë për klubet dhe federatat kombëtare. Kjo përfaqëson një rritje prej gati 14% krahasuar me sezonin 2022/23, i fundit pa Kampionat Evropian.

Sipas të dhënave të raportuara edhe nga Gazzetta dello Sport, rritje kanë shënuar edhe shpërblimet për ekipet pjesëmarrëse në tre kompeticionet kontinentale: Ligën e Kampionëve, Europa League dhe Conference League.

Në krye të renditjes financiare qëndron Paris Saint-Germain, i cili jo vetëm shkëlqeu në fushë, por dominoi edhe në aspektin ekonomik, duke arkëtuar rreth 144.5 milionë euro nga UEFA. Menjëherë pas francezëve renditet Interi, finalist i edicionit të kaluar të Ligës së Kampionëve, me 136.6 milionë euro, ndërsa podiumi plotësohet nga Arsenali me 117 milionë euro.

Në dhjetëshen e parë të klubeve më fituese nga Liga e Kampionëve bëjnë pjesë gjithashtu Barcelona (116.5 milionë euro), Bayern Munich (105.8), Borussia Dortmund (102), Real Madrid (101.8), Liverpool (98), Bayer Leverkusen (87) dhe Atletico Madrid (85).

Shifrat nxjerrin në pah edhe disa paradokse interesante: Tottenham, fitues i Europa League, përfitoi 44.4 milionë euro, më pak se 27 nga 36 klubet pjesëmarrëse në Ligën e Kampionëve. Edhe më domethënës është rasti i Chelseat, që pas triumfit në Conference League arkëtoi 21.8 milionë euro, më pak se çdo ekip i përfshirë në fazën e ligës së kompeticionit kryesor evropian.

Sa u përket klubeve të tjera italiane, Atalanta renditet e 15-ta me 67.8 milionë euro, e ndjekur nga Juventusi në vendin e 16-të me 66.4 milionë euro dhe Milani në vendin e 19-të me 61.3 milionë euro. Bologna, e renditur e 30-ta, siguroi 35.2 milionë euro vetëm nga pjesëmarrja në Ligën e Kampionëve.

Në kompeticionet e tjera të UEFA-s, fitimet janë dukshëm më modeste. Në Europa League, Lazio renditet e treta për nga të ardhurat me 24.1 milionë euro, ndërsa Roma mban vendin e nëntë me 20.5 milionë euro. Në Conference League, Fiorentina spikat duke u ngjitur në vendin e tretë falë të ardhurave prej afro 14 milionë eurosh.

Shifrat konfirmojnë edhe një herë peshën e madhe ekonomike të Ligës së Kampionëve dhe rolin kyç që pjesëmarrja në kompeticionet elitare evropiane luan në financat e klubeve.