Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka shpallur si provë e papranueshme procesverbalin e identifikimit të personave në gjykimin ndaj Frashër Krasniqit, Adea Batushës, Egzon Halitit dhe Atdhe Arifit, të akuzuar për terrorizëm.
Në këtë proces gjyqësor, i cili ishte kthyer në rigjykim, Krasniqi, Batusha, Haliti dhe Arifi, po akuzohen se janë përgjegjës për sulmin në Kuvendin e Kosovës në gushtin e vitit 2016, që është kualifikuar si vepër terroriste, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, në seancën e sotme, mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Florent Latifaj, ka propozuar që procesverbali i identifikimit të personave i bërë nga ana e Heset Ramadanit në Policinë e Kosovës të shpallet i papranueshëm.
“Në këtë procesverbal, siç do ta shihni i njëjti është ftuar në cilësinë e dëshmitarit për të njëjtën lëndë për të cilën ka qenë i pandehur me aktvendimin mbi zgjerimin e hetimeve të datës 7 gusht 2016, do të thotë 15 ditë më herët është bërë i pandehur, pas 15 dite është dëgju si dëshmitar”, tha avokati Latifaj.
Ai shtoi se ky procesverbal nuk mund të qëndrojë, pasi sipas tij për shkak të aktvendimit për zgjerimin e hetimeve është bërë ky identifikim, e që me pas janë pushuar hetimet ndaj Ramadanit.
Propozim të njëjtë pati edhe mbrojtësi i të akuzuarës Batusha, avokati Ali Beka, i cili tha se procesverbalet mbi identifikimin e dëshmitarëve Remzi Zogjani dhe Naser Mustafa, të shpallen si prova të papranueshme.
Paraprakisht, prokurorja Fikrije Fejzullahu ka bërë arsyetimin e provave materiale, duke shtuar se qëndron prapa procesverbaleve të identifikimit, për të cilat gjykata ende nuk ka marrë vendim.
E pas kësaj, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismajli mori aktvendim me të cilin e aprovoi propozimin e avokatit Latifaj, ashtu që e shpalli si provë të papranueshme procesverbalin e identifikimit të personave, kurse refuzoi propozimin e avokatit Beka.
Ndryshe, në seancën e sotme nuk ishte prezent eksperti i armëve të rënda.
Në këto rrethana, seanca e sotme u ndërpre dhe ajo e radhës u shty për kohë të pacaktuar.
Në këtë proces gjyqësor, i cili ishte kthyer në rigjykim, Krasniqi, Batusha, Haliti dhe Arifi po akuzohen se janë përgjegjës për sulmin në Kuvendin e Kosovës në gushtin e vitit 2016, që është kualifikuar si vepër terroriste.
Këtë rast, fillimisht e kishte gjykuar gjykatësi Beqir Kalludra, por pas avancimit të tij në Gjykatën e Apelit me vendimin e 21 dhjetorit 2020, të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), lënda ka kaluar tek gjykatësi Kushtrim Shyti, e më pas përfundimisht këtë lëndë do ta gjykojë gjykatësi i Departamentit Special, Vesel Ismaili.
Pas rigjykimit, para trupit gjykues të udhëhequr nga gjykatësi Kalludra, ishin caktuar gjithsej gjashtë seanca, prej të cilave vetëm tri kishin arritur të mbahen.
Pasi gjykatësi Kalludra, më 27 nëntor të vitit 2017, kishte shpallur fajtorë katër të akuzuarit, duke i dënuar me 21 vjet e gjashtë muaj burgim, në seancën e parë pasi rasti ishte në rigjykim, më 4 mars 2020, ish-mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Tomë Gashi, kishte kërkuar përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Beqir Kalludra, mirëpo kjo kërkesë ishte refuzuar.
Ish-deputeti Frashër Krasniqi ishte dënuar me 8 vjet burgim, Atdhe Arifi ishte dënuar me 6 vjet burgim, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë si dhe Adea Batusha me 2 vjet heqje lirie.
Pas ankesave në Gjykatën e Apelit, kolegji i instancës së dytë gjyqësore, kishte vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë është bërë me shkelje ligjore dhe e kishte anuluar të njëjtin dhe në këtë mënyrë, lëndën e kishte kthyer në rigjykim.
Për rastin e aktivistëve të dënuar të VV-së, më 9 shkurt 2018, ishte diskutuar edhe në Kuvendin e Kosovës dhe në fund të seancës, Kuvendi kishte miratuar disa rekomandime ku kërkohej që për rastin e sulmit në ndërtesën e Kuvendit, të kërkohet dhe të mundësohet një hetim i plotë, i pavarur ndërkombëtar i tërë rastit, nga ndonjëri nga vendet perëndimore të BE-së, përfshirë vendet neutrale të Evropës Perëndimore dhe Zvicrën.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) në dhjetor të vitit 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër Frashër Krasniqit, Atdhe Arifit, Egzon Halitit dhe Adea Batushës, të cilët i akuzon për kryerjen e veprës penale të terrorizmit.
Ndaj katër aktivistëve të Vetëvendosjes, PSRK-ja ka ngritur aktakuzë, katër muaj pasi të njëjtit, bashkë me tani të ndjerin Astrit Dehari, u arrestuan si të dyshuar për sulmin e 4 gushtit 2016, ndaj objektit të Kuvendi të Kosovës, por që Dehari kishte vdekur në nëntor të vitit 2016 në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale thuhet se të pandehurit kanë vepruar si grup i organizuar “me qëllim që të shkaktojnë frikësimin serioz të popullsisë dhe shkaktimin e ndjenjës se pasigurisë për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit duke pasur për qëllim, që Kuvendi i Kosovës të detyrohet të mos ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi dhe me këtë rast, të shkaktojë frikësim serioz të popullsisë dhe shkaktimin e ndjenjës së pasigurisë tek qytetarët e Kosovës, më datë 4 gusht 2016, rreth orës 23:05 nga parkingu përballë Kuvendit të Kosovës me raketahedhës dore kanë kryer sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës./BetimipërDrejtësi


