Sporti

Shotani: Kapiteni Rrahmani nuk ka ditur ta luajë rolin e një lideri tek Kosova, tani kur ka një ‘bombë të shpërthyer’ është tepër vonë

11/16/2023 10:03
nga:Mergim Rreci

Futbollisti i kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova ka reagur për herë të parë, pasi nuk erdhi tek Kosova për ndeshjet e nëntorit,

Edoni përmes një story në rrjetin social Instagram është shprehur i pakënaqur, duke zbuluar se brenda FFK-së ka njerëz që po shkaktojnë probleme të mëdha tek Kombëtarja e Kosovës.

Trajneri kosovar, Bekim Shotani në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’ ka deklaruar se këto probleme kanë lindur që nga ndeshja e famshme ndaj Maqedonisë së Veriut, kurse poashtu ka kritikuar edhe kapitenin Amir Rrahmani.

Sipas Shotanit, Rrahmani nuk ka ditur ta luajë rolin e një lideri, duke mos reaguar për zhvillimet që kanë ndodhur vazhdimisht.

“Nuk është diçka e re, problemet kanë filluar shumë më herët, por gjithçka që ndodhi u mbajt e fshehtë. Problemet e mëdha u ngritën pas dështimit të grumbullimit kundër Maqedonisë së Veriut. Një faktor tjetër kyç i këtij problemi janë edhe futbollistët, të cilët nuk kanë reaguar. Faji së pari hidhet tek kapiteni, sepse nuk ka ditur ta luajë rolin e një lideri“, tha fillimisht Shotani.

Tutje, ai tha se ka pasur shumë pak reagime ndaj kësaj ‘bombe’ që ka shpëthyer dhe se tashmë është tepër vonë.

“Nuk ka pasur reagime për shumë parregullsi që kanë ndodhur. Tani kur ka një ‘bombë të shpërthyer‘ është tepër vonë. ‘Tymin’ po e shohin edhe fëmijët, por është shumë vonë”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport/