Lajme

Shoshi: Kemi një qeveri që nuk udhëton në ShBA, kurse opozita vazhdon vizitat atje në Departamentin e Shtetit

11/16/2022 21:07
nga:Genita C

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi ka deklaruar se është për keqardhja narrativa e kolegut të saj nga radhët e LVV-së, Alban Bajrami, i cili tha se kurrë nuk ka pasur më pak ndikim nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq mbi institucionet e Kosovës.

Sipas saj, kurrë më pak s’ka pasur koordinim mes Kosovës dhe ShBA-së, teksa përmendi shtyrjen e vizitave të disa prej ministrave të Qeverisë Kurti për në ShBA pas situatës në veri.

“Qeveria merr vendime që s’janë të koordinuara me faktorin ndërkombëtar dhe nuk janë në akordim me shtetet e BE-së dhe si rrjedhojë jemi ku jemi sot”, tha ajo në Debat Plus.

Ajo pati kritika ndaj pushtetit për mungesën e transparencës sa i përket ecurisë së dialogut me Serbinë.

“Kemi një qeveri që nuk udhëton në ShBA, kurse opozita vazhdon vizitat atje dhe në Departamentin e Shtetit. Kemi një qeveri që nuk është transparente dhe nuk ka strategji për dialogun apo për marrëveshjet që i nënshkruan apo implementon”, vijoi Shoshi.