Lajme

Shoqëria Civile: Ministria e Drejtësisë përvetëson aktivizmin dhe ua bart viktimave barrën e dështimeve institucionale

11/26/2026 13:12
nga:L J

Organizatat joqeveritare kanë reaguar ndaj Ministrisë së Drejtësisë, duke theksuar se përmes sloganit “Raporto dhunën”, barrën e veprimit e vendosë mbi viktmat dhe jo mbi institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e tyre.

Sipas OJQ-ve, përzgjedhja e këtij slogani përballë dështimeve të vazhdueshme shtetërore në luftimin e dhunës ndaj grave, reflekton në mungesë të thellë të kuptimit të natyrës strukturore të dhunës me bazë gjinore, të përgjegjësisë institucionale dhe të ndjeshmërisë ndaj viktimave, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Kjo është veçanërisht shqetësuese duke pasur parasysh se Ministria e Drejtësisë, në kuadër të së cilës funksionon edhe Zyra e Koordinatores Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, bart përgjegjësinë qendrore për koordinimin e politikave shtetërore në këtë fushë”, thuhet në reagim.

Ndër të tjera, në reagim thuhet se problemi thelbësor në Kosovë qëndron veçanërisht tek mosveprimi institucional pas raportimit.

“Përmes këtij slogani, Ministria e Drejtësisë e zhvendos vëmendjen nga dështimi i shtetit për të vepruar, tek veprimi që duhet të ndërmarrë viktima, duke riprodhuar barrën disproporcionale që gratë tashmë bartin në përpjekjet e tyre për të siguruar mbrojtje dhe drejtësi”, thuhet në reagim.

OJQ-të theksojnë se përgjegjësia për dhunën i takon autorit të saj, ndërsa përgjegjësia për parandalimin, mbrojtjen, hetimin dhe ndëshkimin efektiv i takon shtetit.

Sipas reagimit, përzgjedhja e sloganit të sivjetmë nuk është thjesht një gabim në komunikimin publik, por pasojë e përvetësimit të aktivizmit nga institucioni ndaj të cilit ky aktivizëm duhet të drejtohet.

“Kulmi i këtij përvetësimi u manifestua në hapjen e kampanjës së sivjetme, ku adresimet publike iu rezervuan Presidentes, Kryetares së Kuvendit dhe Ministres së Drejtësisë, pa përfaqësim të zërit organizatave të grave apo shoqërisë civile në përgjithësi. Në një kampanjë të krijuar për të kërkuar llogaridhënie nga pushteti, hapësira qendrore iu rezervua pikërisht përfaqësuesve të pushtetit”, thuhet në reagim.

Prandaj, shoqëria civile vlerëson se organizatat e grave nuk mund të trajtohen thjesht si pjesëmarrëse të ftuara në një agjendë të hartuar nga institucionet, por si bartëse dhe përcaktuese të kësaj agjende.

Organizatat nënshkruese të këtij reagimi, kërkojnë që MD-ja të heqë dorë nga roli udhëheqës në organizimin e kampanjës së 16 Ditëve të Aktivizmit dhe rekomandon rikthimin e koordinimit përmes Grupit për Siguri dhe Gjini (SGG), duke garantuar që udhëheqja përmbajtësore dhe artikulimi i kërkesave t’u takojnë organizatave të grave, aktivisteve feministe dhe shoqërisë civile.

“Njëkohësisht, organizatat nënshkruese kërkojnë që Ministria e Drejtësisë të rishikojë sloganin qendror të kampanjës së sivjetme, duke e orientuar atë drejt llogaridhënies institucionale, mbrojtjes efektive të viktimave dhe eliminimit të pandëshkueshmërisë”, thuhet në këtë reagim.

Reagimi i plotë:

“Përderisa në nivel ndërkombëtar kampanja e 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës ndaj Grave shënohet me thirrje për garantimin e drejtësisë, mbrojtjen e të mbijetuarave dhe eliminimin e pandëshkueshmërisë (“Ensure justice, protect survivors, end impunity”), Ministria e Drejtësisë në Kosovë ka zgjedhur që përmes sloganit “Raporto dhunën”, barrën e veprimit ta vendosë mbi viktimat dhe jo mbi institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e tyre.

Organizatat nënshkruese të këtij reagimi konsiderojnë se përzgjedhja e këtij slogani, përballë dështimeve të vazhdueshme shtetërore në luftimin e dhunës ndaj grave, reflekton mungesë të thellë të kuptimit të natyrës strukturore të dhunës me bazë gjinore, të përgjegjësisë institucionale dhe të ndjeshmërisë ndaj viktimave. Kjo është veçanërisht shqetësuese duke pasur parasysh se Ministria e Drejtësisë, në kuadër të së cilës funksionon edhe Zyra e Koordinatores Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, bart përgjegjësinë qendrore për koordinimin e politikave shtetërore në këtë fushë.

Pa e mohuar rëndësinë e raportimit, problemi thelbësor në Kosovë qëndron veçanërisht tek mosveprimi institucional pas raportimit. Gratë raportojnë dhunën dhe kërkojnë mbrojtje, por vazhdojnë të përballen ndër të tjera edhe me mungesë të mbrojtjes efektive, politikë të papërshtatshme ndëshkimore, riviktimizim institucional, mungesë të llogaridhënies dhe mendësi patriarkale.

Përmes këtij slogani, Ministria e Drejtësisë e zhvendos vëmendjen nga dështimi i shtetit për të vepruar, tek veprimi që duhet të ndërmarrë viktima, duke riprodhuar barrën disproporcionale që gratë tashmë bartin në përpjekjet e tyre për të siguruar mbrojtje dhe drejtësi.

Përgjegjësia për dhunën i takon autorit të saj, ndërsa përgjegjësia për parandalimin, mbrojtjen, hetimin dhe ndëshkimin efektiv i takon shtetit. Asnjëra prej këtyre përgjegjësive nuk duhet t’i transferohet viktimës. Ky është edhe thelbi i detyrimeve shtetërore sipas Konventës së Stambollit, të cilat kërkojnë ushtrimin e kujdesit të duhur, vendosjen e të drejtave të viktimave në qendër të politikave shtetërore dhe një qasje të bazuar në kuptimin gjinor të dhunës, duke shmangur viktimizimin dytësor.

Përzgjedhja e sloganit të sivjetmë nuk është thjesht një gabim në komunikimin publik, por pasojë e përvetësimit të aktivizmit nga institucioni ndaj të cilit ky aktivizëm duhet të drejtohet.

Kampanja e 16 Ditëve të Aktivizmit përfaqëson një platformë të mobilizimit qytetar për adresimin e pabarazive strukturore dhe kërkimin e llogaridhënies nga shteti. Në Kosovë, kampanja shënohet që nga viti 2010 dhe për vite me radhë është koordinuar nga UN Women, përmes Grupit për Siguri dhe Gjini (SGG), ndërsa nga viti 2022, Ministria e Drejtësisë ka marrë rol dominues në organizimin e saj, duke e transformuar gradualisht nga një platformë e aktivizmit qytetar në një aktivitet qeveritar.

Kulmi i këtij përvetësimi u manifestua në hapjen e kampanjës së sivjetme, ku adresimet publike iu rezervuan Presidentes, Kryetares së Kuvendit dhe Ministres së Drejtësisë, pa përfaqësim të zërit organizatave të grave apo shoqërisë civile në përgjithësi. Në një kampanjë të krijuar për të kërkuar llogaridhënie nga pushteti, hapësira qendrore iu rezervua pikërisht përfaqësuesve të pushtetit.

16 Ditët e Aktivizmit nuk janë një kampanjë protokollare, as një hapësirë për protagonizëm institucional. Ato janë rezultat i dekadave të organizimit, rezistencës dhe angazhimit politik të lëvizjes së grave dhe aktivisteve feministe. Prandaj, organizatat e grave nuk mund të trajtohen thjesht si pjesëmarrëse të ftuara në një agjendë të hartuar nga institucionet, por si bartëse dhe përcaktuese të kësaj agjende.

Përjashtimi i organizatave të grave dhe organizatave të shoqërisë civile nga vendimmarrja apo mungesa e konsultimit me to nuk është thjesht çështje organizative, por çështje e përfaqësimit, legjitimitetit dhe autonomisë së lëvizjes feministe. Shteti bart përgjegjësinë për politikat, buxhetet, zbatimin e ligjeve dhe llogaridhënien për dështimet institucionale, ndërsa aktivistët, organizatat e grave dhe organizatat e shoqërisë civile duhet të gëzojnë hapësirën e pavarur për të kritikuar pushtetin, kundërshtuar politikat dhe kërkuar ndryshime. Këto role nuk mund të zëvendësojnë njëra-tjetrën.

Kështu, kur institucioni nga i cili kërkohet llogaridhënie bëhet organizatori kryesor i kampanjës, përmbyset raporti ndërmjet aktivizmit dhe pushtetit. Duke përcaktuar sloganin, agjendën dhe folësit, Ministria e Drejtësisë merr kontrollin mbi hapësirën në të cilën organizatat e grave, aktivistët dhe shoqëria civile do të duhej të artikulonin kërkesat e tyre dhe të adresonin dështimet shtetërore. Ky përvetësim cenon autonominë e shoqërisë civile dhe rrezikon të neutralizojë funksionin kritik dhe transformues të aktivizmit.

Shoqëria civile nuk është zgjatim i administratës publike. Neni 9 i Konventës së Stambollit përcakton detyrimin e shtetit për të njohur, inkurajuar dhe mbështetur punën e organizatave të shoqërisë civile, jo për ta përvetësuar atë. Ministria e Drejtësisë mund dhe duhet të koordinojë politikat shtetërore kundër dhunës ndaj grave, por koordinimi i politikave shtetërore nuk është sinonim i koordinimit të aktivizmit.

Organizatat nënshkruese kërkojnë që Ministria e Drejtësisë të heqë dorë nga roli udhëheqës në organizimin e kampanjës së 16 Ditëve të Aktivizmit dhe rekomandon rikthimin e koordinimit përmes Grupit për Siguri dhe Gjini (SGG), duke garantuar që udhëheqja përmbajtësore dhe artikulimi i kërkesave t’u takojnë organizatave të grave, aktivisteve feministe dhe shoqërisë civile.

Njëkohësisht, organizatat nënshkruese kërkojnë që Ministria e Drejtësisë të rishikojë sloganin qendror të kampanjës së sivjetme, duke e orientuar atë drejt llogaridhënies institucionale, mbrojtjes efektive të viktimave dhe eliminimit të pandëshkueshmërisë.

Luftimi i dhunës ndaj grave nga shteti nuk është aktivizëm, por përmbushje e një detyrimi kushtetues dhe ligjor. Andaj, është e papranueshme që shteti, përballë dështimeve në përmbushjen e këtij detyrimi, të përvetësojë hapësirën në të cilën kërkohet llogaridhënie prej tij dhe ta shfrytëzojë atë për të zhvendosur barrën e përgjegjësisë tek viktimat. Sepse gratë nuk kanë nevojë që shteti të marrë rolin e aktivistit, por kanë nevojë që shteti të përmbushë detyrimet e tij për garantimin e sigurisë, mbrojtjes dhe drejtësisë.

Organizatat nënshkruese

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)

Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK)

Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ)

Kosova Women for Women (KW4W)

Qendra për Barazi dhe Drejtësi

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA)

Qendra për Barazi dhe Liri (CEL Kosova)

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut Kosovë (YIHR KS)

Iniciativa e Re Sociale (NSI)

Instituti Sekhmet

Civil Rights Defenders

Artpolis

Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve (VORAE)”

Assist Kosovo Center (ASSIST)

Shoqata e Paraplegjikëve dhe Paralizës së Fëmijëve të Kosovës (HANDIKOS)”.