Sporti

Shoqata Evropiane e Klubeve reagon në lidhje me formatin e ri të organizimit të Kupës së Botës

09/24/2021 13:59
nga:Mergim Rreci

Pas UEFA-s edhe Shoqata Europiane e Klubeve i kundërvihet planeve të FIFA-s për të ndryshuar kalendarët e futbollit.

FIFA ka propozuar organizimin e Kupës së Botës çdo dy vjet, si pjesë të një projekti të saj që do të përmbyste kalendarët e futbollit, por kundër kësaj ideje, është pozicionuar edhe Shoqata e Klubeve Europiane, që ka kritikuar FIFA-n për mungesën e konsultimit me të gjitha palët sa u përket reformave që projekton.

Shoqata Europiane e Klubeve, që përfaqëson më shumë se 230 klube anembanë kontinentit, ka shfaqur pakënaqësinë e saj të hapur në lidhje me këtë projekt, teksa shprehet në një komunikatë me shqetësimin se planet e FIFA-s mund të jenë të rrezikshme për futbollin, pasi mund të sjellin humbjen e prestigjit të Kupës së Botës dhe gjithashtu janë shqetësuese për shëndetin e futbollistëve.

Në komunikatë shkruhet: “Përveç mungesës së një konsultimi me palët e interesuara, propozimet e FIFA-s mund të kenë një impakt të drejtpërdrejtë shkatërrues për lojën, si në fushën kombëtare ashtu edhe në atë ndërkombëtare. Përveç kësaj, ndryshimet do të vinin në rrezik shëndetin dhe mirëqenien e futbollistëve. Ato do të ulnin vlerën dhe domethënien e kompeticioneve të klubeve dhe të kombëtareve. Do të reduktonin dhe do të ishin në konflikt me futbollin e të rinjve dhe atë të femrave, aspekte të cilave Shoqata Europiane e Klubeve po iu dedikon kohë dhe burime domethënëse”.