Lajme

Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës reagon ndaj deklaratave të drejtorit të ATK-së, Mentor Hyseni

12/24/2025 16:20
nga:Genita C

Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës reagon ndaj deklaratave të drejtorit të Administratës Tatimore të Kosovës, z. Mentor Hyseni, në të cilat sektori i ndërtimtarisë përgjithësohet si një ndër sektorët me shmangiet më të mëdha tatimore.

Ndërtimtaria është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës, me kontribut të drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike, punësim masiv, zhvillim urban dhe funksionim të dhjetëra sektorëve ndërlidhës. Vetë të dhënat institucionale dëshmojnë për një rritje të fuqishme të aktivitetit ndërtimor dhe të qarkullimit ekonomik në vend.

Megjithatë, përgjithësimi i të gjithë sektorit si problematik për shmangie tatimore, pa analiza të thelluara dhe pa dallim të qartë mes bizneseve formale dhe atyre informale, është i padrejtë dhe dëmton rëndë imazhin e mijëra kompanive ndërtimore që veprojnë ligjërisht, paguajnë tatime dhe mbajnë gjallë ekonominë e vendit.

Shoqata thekson se:
• Ndërtimtaria është sektor me kosto shumë të larta operative, investime afatgjata dhe cikle të gjata kthimi, të cilat nuk reflektohen domosdoshmërisht proporcionalisht në të hyrat tatimore vjetore;
• Rritja e qarkullimit nuk është e barabartë me rritje të fitimit, veçanërisht në kushtet e rritjes së çmimeve të materialeve ndërtimore, fuqisë punëtore, energjisë dhe barrës administrative;
• Formalizimi i plotë pengohet edhe nga procedurat e gjata, pasiguria ligjore, vonesat në leje ndërtimi dhe mungesa e një planifikimi urban të qëndrueshëm.

Ne përkrahim fuqishëm luftën kundër ekonomisë joformale dhe forcimin e disiplinës fiskale, por kjo nuk mund të arrihet përmes deklaratave publike që krijojnë perceptim negativ dhe presion të padrejtë mbi një sektor të tërë. Zgjidhja qëndron në dialog institucional, analiza reale sektoriale dhe politika stimuluese për formalizim.

Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës mbetet e hapur për bashkëpunim të drejtpërdrejtë me ATK-në dhe institucionet përkatëse për të adresuar çdo formë të shmangies tatimore, duke mbrojtur njëkohësisht bizneset e ndershme dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës.

Ekonomia ndërtohet mbi partneritet dhe besim mes shtetit dhe bizneseve — jo mbi përgjithësime që dëmtojnë klimën investuese.