Lajme

Shoferi ishte i dehur, detaje nga aksidenti tragjik ku humbi jetën 18-vjeçarja ne Durres

01/16/2026 13:44
nga:Y I

Policia njoftoi mesditën e kësaj të premteje, 16 janar, se shkak për aksidentin e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së enjtes te Ura e Dajlanit në Durrës ishte gjendja e dehur e shoferit 26-vjeçar.

Për këtë arsye ndaj tij është vendosur arrestimi në flagrancë.

Ai ndodhet aktualisht në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Po ashtu, policia thotë se dy këmbësorët të cilët mbetën të plagosur, pasi kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, kanë lënë spitalin. Kujtojmë se nga aksidenti i rëndë, humbi tragjikisht jetën një vajzë 18-vjeçare.

“…Në përfundim të këtyre veprimeve, u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të automjetit në të cilin ishte pasagjere shtetasja V. G., shtetasi A. Xh., 26 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen, dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Nga hetimet rezultoi se 26-vjeçari ka humbur kontrollin mbi automjetin që drejtonte në gjendje të dehur, dhe si pasojë, automjeti është përplasur me barrierat anësore të urës dhe ka rënë nga ajo. 26-vjeçari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, aktualisht jashtë rrezikut për jetën, ndërsa 2 këmbësorët e dëmtuar kanë marrë asistencën mjekësore të nevojshme dhe janë larguar në banesa”, tha policia e Durrësit në një njoftim për media.