Trepça nga Mitrovica e nisi një fushatë të madhe në rrjetin social, Facebook në fund të sezonit të kaluar, ku paralajmërohej një ekip ndryshe, më konkurrues, madje edhe paralajmëroheshin të tjerët që të shtrëngojnë rrypat.
“Shtrëngoni rrypat se TREPÇA e madhe u nis”, shkruante klubi me traditë të madhe kosovar, KF Trepça në rrjetin social, Facebook me 14 maj të vitit 2024, përcjell GazetaBlic Sport.
Klubi me të vërtetë u organizua, duke rinovuar me Emin Baliqin si trajner, e Shpëtim Fetahun si ndihmës të tij, teksa Rafet Prekazi u bë drejtor sportiv e Ajet Shosholli drejtor i përgjithshëm, gjithashtu boshti i ekipit u ruajtë.
Emin Baliqi e udhëheqi ekipin deri në shkurt, teksa më pas erdhi Edi Martini nga Shqipëria.
Megjithatë, paralajmërimi për t’u shtënguar, nuk duket se po shkon ashtu siç e kishin menduar, pasi momentalisht janë larg rikthimit në Superligë.
Pasi humbi sot me rezultatin e thellë 3-0 nga Drenica, KF Trepça tani është gjithnjë e më larg vendit të parë, që dërgon automatikisht në Superligë, teksa vendi i dytë është larg 5 pikë, por aty duhet të luftojë me tri skuadra: Vëllaznimin, Lirinë e Trepçën 89′.
Me 35 pikë, KF Trepça është ende në garë për barazh, por duket e vështirë… pasi kundërshtarët duket se kanë “shliruar” rrypat.
/GazetaBlic Sport