Debat

Shkurtimi i orarit mësimor për qëllime fetare është jokushtetues!

02/19/2026 16:07
nga:Halil Matoshi

1.
Kosova âsht demokraci kushtetuese dhe secili ligj apo akt nënligjor, vendim ose udhëzim administrativ i nënshtrohet Kushtetutës.
Në Kosovë, besimet fetare gzojnë liri të plotë, simas Kushtetutës, Neni 38, porse këto liri janë personale e private, tue gzu autonomi jashtë institucioneve shtetnore (Neni 39);
2.
Kushtetuta nuk mund të shkilet në emën të asnji interesi tjetër, pra as atij fetar.
Bazue në Nenin 8 të Kushtetutës (neutraliteti i shtetit) asnjë institucion arsimor ose administeativ (pos entiteteve autonome, siç janë shkollat fetare) nuk ka të drejtë të vendosë për shkurtimin e orarit të mësimit, për shkak të Ramazanit.
Âsht thjesht shkelje kushtetuese!
3.
Simas rezultateve të testit PISA, rreth 80% e nxënësve të shkollave të mesme në Kosovë nuk e kuptojnë dhe nuk dijnë me e interpretu atë që e lexojnë!?
Kjo nuk e alarmoi drejtorinë e arsimit të Prishtinës. Porse shkurtimi i orarit mësimor për Ramazan!?
Përparim Rama duhet të përshihet: Nuk preket shkolla në shtetin laik për interesin fetar!
4.
Dy ndjenjat ma të zakonshme të përjetueme në shkollë janë stresi (79.8 për qind) dhe mërzia (69.5 për qind).
Agjerimi i arsimtarëve dhe sidomos i nxansave, i rritë ndjeshëm këto përqindje.
Fëmijë nuk i tërheq shkolla kazermë dhe rreshti, me mësues të stresuem nga agjërimi dhe nxansa të e pa pasion për çkadoqoftë!?
Për këtë ekspertët tashmâ kanë bërë shumë studime:
Ekspertët kanë nji koncensus të gjânë që uria gjatë agjërimit shpesh rrit stresin afatshkurtë, i cili zakonisht quhet stres i të qenmit “i untë + i zemruem”. Ky fenomen nxitet nga nivelet e rrituna të kortizolit (hormoni i stresit) dhe, për shumë njerëz, çon në nervozizëm, tension dhe lodhje të shtueme.
5.
Sipas një hulumtimi të organizatës ETEA – siç raporton Koha.net (2923), 70 % e gjimnazistëve nuk munden me i numërue tre tituj të librave që i kanë lexu gjatë tanë jetës së tyne.
Ndërsa Drejtoria e Arsimit i jep hapësirë fesë, aty ku duhet msue me dyshue!
Zoti Rama duhet me i thânë jo përfshimjës së fesë në shkollat e kryeqytetit që janë nën juridiksionin shtetnor.