Lajme

Shkumbin Ahmetxhekaj, kandidati me më së shumti pikë pas intervistës për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së

03/19/2022 19:32
nga:Astrit Gashi

Komisioni vlerësues dhe përzgjedhës për përzgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së sot ka intervistuar kandidatët për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së.

Sipas komunikatës së Bordit të RTK-së, në intervistë janë paraqitur pesë kandidatë. Tre kandidatë që kanë qenë në testin me shkrim (Fisnik Durguti, Fadil Hoxha dhe Hysen Hundozi) nuk janë paraqitur në intervistë.

Kandidati që mori më së shumti pikë është Shkumbin Ahmetxhekaj.

“Ashtu siç ka qenë i gjithë ky proces, edhe procesi i intervistimit ka qenë tërësisht transparent, ku kanë marrë pjesë nëntë monitorues, duke përfshirë shoqërinë civile, Zyrën e Përfaqësuesit të Posaçëm BE-së në Kosovë dhe tri sindikatave të RTK-së”.

Tutje në komunikatë thuhet se kandidatët janë përgjigjur në pesë pyetjet e njëjta te përpiluara nga komisioni (një orë para intervistës), ndërkaq secili anëtar i komisionit vlerësimin e ka bërë në mënyrë të pavarur për secilën pyetje.

“Gjithashtu, në kuadër të transparencës dhe vlerësimit korrekt, anëtarët e komisionit e kanë arsyetuar vlerësimin për secilën pyetje para anëtarëve të tjerë të komisionit dhe monitoruesve”, u theksua në komunikatë.

Pas testimit me shkrim dhe intervistës me gojë, Ahmetxhekaj tuboi 158.7 pikë, në vendin e dytë u rreshtua Bekim Hasani me 155.6 pikë, i treti ishte Gjergj Filipaj me 133.4 pikë, në vendin e katërt Arben Berisha me 131 pikë dhe në vendin e pestë Adriana Kutllovci me 90.1 pikë.