Sot do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit, derisa për formimin e institucioneve dështoi të arrihet një marrëveshje mes LVV-së e LDK-së.
Përpos takimit të së martës, marrëveshje nuk pati as dje në takimin mes Kurtit e Abdixhikut.
LDK ka kërkuar që posti i presidentit t’i takojë atyre.
Kurti e Abdixhiku nuk e kanë përjashtuar mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Por, shkuarjen në zgjedhje të reja e quan çmenduri analistja Alma Lama.
Ajo në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se këtë mund ta bëjë vetëm një lider i papërgjegjshëm.
“Shkuarja në zgjedhje të reja është çmenduri. Vetëm një lider i papërgjegjshëm mund ta bëjë këtë. Ekonomia dhe shteti i Kosovës po rrënohet”, është shprehur ajo.
Sipas Lamës, VV duhet t’ia japë postin e presidentit LDK-së, teksa shton se deklaratat e Kurtit janë marrëzi dhe poshtëruese për LDK-në.
“VV duhet t’i ofrojë postin e presidentit LDK-së. Deklaratat e Kurtit janë totalisht marrëzi, jashtë realitetit, fyese e poshtëruese për LDK-në dhe subjektet e tjera që nga një anë i thërret për marrëveshje, nga ana tjetër ofron vetëm mosmarrëveshje. Kjo është lojë bizare e një lideri të sëmurë për pushtet, ku kërkon të kontrollojë çdo institucion dhe të gjithë të tjerët i trajton si kukulla dhe marioneta që duhet t’i shërbejnë atij”, ka vlerësuar Alma Lama.
Ajo shton se “opozita duhet të flasë me gjuhën e së vërtetës, duhet t’i dalë ballë dhe mos të lejojë instalimin e diktaturës. Edhe qytetarët të hapin sytë se Kosova aktualisht është në agoni”
Ndërsa, analisti politik Arbnor Sadiku, thotë për Gazeta Blic se LDK është më e interesuar për formim të institucioneve, ndërsa VV e gatshme për zgjedhje të reja, më shumë se për marrëveshje me LDK-në.
“LDK-ja duket e interesuar që të ketë institucione të funksionalizuara, dhe mundohet të mbrojë dinjitetin e vet duke qenë maksimizuese në ofertën e saj, kurse LVV-ja më shumë e gatshme për zgjedhje të reja parlamentare sesa për një marrëveshje politike me LDK-në”, ka deklaruar Sadiku./Gazeta Blic/


