Adil Maliqi, trajneri i Kosovës U-19, ia ka dedikuar babait të tij të ndjerë fitoren ndaj Austrisë të mërkurën.
Në një postim prekës në rrjetet sociale, Maliqi tha se ndeshja ndaj Austrisë ishte e para e tij pas humbjes së prindit.
“Ndeshja e parë pa babën”, shkroi Maliqi. “Falemnderit për gjithçka. Kjo fitore vetëm për ty. Të dua fort babi”.
Kosova U-19 e ka nisur dje raundin e dytë kualifikues për Kampionatin Evropian. Dardanët e rinj arritën të fitojnë takimin me rezultat 1-0 dhe pas xhiros së parë kryesojnë grupin kualifikues me 3 pikë.
Në vendin e dytë dhe të tretë ndodhen dy rivalët e tjerë, Sllovenia, përkatësisht Spanja me nga një pikë secila.
Ndërkaq, në vendin e fundit ndodhet Austria me asnjë pikë.
Ndeshjen e radhës, kosovarët e rinj e luajnë ndaj Spanjës të shtunën në orën 16:00.