Lajme

Shkrim për opinionin publik, në pamundësi të polemizimit me një mediokër politik

Sh RSh R

Ka vetëm dy arsye që më shtyjnë të reagoj ndaj një shkrimi fare të cekët, publikuar në emër të Faton Pecit të Listës Guxo, kësaj krijese politike të lindur nga mbarsja e tradhtisë politike ndaj LDK-së me oportunizmin politik të Partisë Vetëvendosje, të Albin Kurtit.

Më duhet po ashtu të them që, paragrafët e mëposhtëm janë veçse reagim përmbajtësor ndaj Vjosa Osmanit dhe asesi përgjigje në patetizmin e Faton Pecit.

Në përballjet e saj publike, pasojë e gabimeve të njëpasnjëshme, Vjosa Osmani ka krijuar shprehinë e shëmtuar të vetëmbrojtjes përmes ndërsimit të shërbëtorëve të saj, ndaj secilit që ia prish projeksionin e madhështisë.

Faton Peci, Blerim Vela, Haxhi Avdyli, Donika Gërvalla e Jeta Statovci, janë veç disa nga pseudonimet që ajo përdor, për të sulmuar personalitete nga politika, shoqëria civile dhe bota e medias.

Dikur, presidentja përdorte burrin, sjelljet dhe shprehjet e të cilit e bëjnë të padenjë për ta quajtur zotëri, aq më pak zotëri i parë. Për shkak të skandaleve që krijonte sa herë nxirrte fjalë nga goja, emri i tij nuk ishte më i përshtatshëm, madje as minimalisht i përdorshëm, në proxy-luftën e presidentes me të gjithë.

Që atëherë, shkopi i policisë morale ka mbetur në duart e atyre pak njerëzve që ka arritur të mbledhe e mbajë rreth vetes.

Më duhet të them që, e kam krejtësisht të qartë se polemika personale me një mediokër politik çfarë është Faton Peci, nuk është aspak punë e vyer. Por, duke qenë ai, një nga përfaqësuesit më tipik të mjerimit moral dhe intelektual të kësaj kaste qeverisëse, përgjigja bëhet e domosdoshme.

Në rrafshin moral, Peci është nënprodukt i shndërrimit të LVV-së në lavatriçe politike, në të cilën pastrohen horrat e të gjitha regjimeve, taksa e të cilëve, për këtë shërbim, është t’i shërbejnë besnikërisht dhe pa mëdyshje Albin Kurtit.

Po të kthehemi pak vite pas, në zgjedhjet e vitit 2017 për shembull, mund ta shohim Fatonin teksa shan e nëmë PAN-in e LVV-në, të cilët i akuzonte për çdo të keqe që mund t’i ketë ndodhur vendit, dhe duke lartësuar LDK-në, si të vetmen parti shtetformuese.

I njëjti njeri, të cilit tani i kanë ndërruar interesat, zë e flet me po aq zell kundër regjimit të vjetër (cilido qoftë ai), shërbëtorëve të qarqeve të caktuara, përfituesve të pandershëm dhe komplotistëve antikombëtarë, të cilët i paskëshin rënë në qafë popullit të shkretë.

Harron ai dhe kujton se duhet të harrojmë të gjithë që, vetë ka qenë pjesë e disa qeverive të udhëhequra nga po ai “regjim i vjetër”, duke mbajtur pozita të ndryshme, nga të qenit këshilltar, në ministër.

Jo unë!

Është ai që duhet të ndjehet në faj, të paktën moralisht, për të bëmat e dikurshme të klaneve që denoncon tani, dhe është po ai që, për të mbuluar pafytyrësitë dhe për të pudrosur turpet, moralizon pafund.

Që banditë të të gjitha llojeve, shërbëtorë të të gjitha regjimeve dhe tyxharë të shumë tregjeve pastrojnë biografitë e tyre përmes nënshtrimit dhe shërbimit, ky është një problem shumë i madh i shoqërisë kosovare.

Dimensioni intelektual i Faton Pecit, ndërkaq, e bën të pamundur polemikën.

Reagimi i tij, përveçse i pashije, nuk ka kurrfarë lidhje me brumin e shkrimit tim dhe për më keq, nuk ka as lidhje logjike brenda vetvetes. Kështu që, trajtimi i disa prej çalimeve serioze të tij paraqet ushtrim intelektual, për të zbërthyer një pjesë të karakteristikave të frikshme të rrëfimit të ndërtuar nga dyshja Kurti-Osmani.

Në tërë shkrimin, ai nuk merret me çmontimin e argumenteve të radhitura në shkrimin tim.

Ka vetëm një fjali me përmbajtje politike, kur thotë që presidentja vetëm ka shpërfaqur një realitet të hidhur, për shkak të zbatimit të “masave joproporcionale” ndaj Kosovës, të cilën, në mënyrë të pashoq, dështon ta argumentojë.

Ndryshe nga çmundohet të thotë ai, në një përpjekje të stilit kurtian për të shmangur thelbin e çështjes, presidentja ka deklaruar që paralajmërimi i presidentit Emmanuel Macron është një mënyrë për të vrarë dialogun.

Zbërthimi i këtij qëndrimi është boshti rreth të cilit qe ndërtuar shkrimi im i botuar në Albanian Post.

Pse kjo deklaratë është naive, e gabuar dhe e dëmshme, shtjellohet brenda atij teksti. Prandaj, e vlerësoj të paarsyeshme një ndërmarrje të re, për ta rizbërthyer deri në themele këtë çështje, vetëm sepse mund të jem keqkuptuar (qëllimshëm).

Përfundimi që nxjerr se unë paskam humbur nga jeta publike, në një kohë kur jo vetëm shkruaj çdo ditë, por edhe angazhohem si pronar mediumi dhe komentator politik, në Kosovë e Shqipëri, është i papranueshëm në dy rrafshe.

Nëse ka pasur për qëllim nënçmimin, atëherë shpalos prirjen për ta ofenduar tjetrin, në mungesë të argumenteve bindëse politike.

Nëse ka qenë përpjekje për të ulur rëndësinë e fjalës time publike, atëherë është shqetësuese se si një ministër merret me një figurë të parëndësishme publike. Përtej të dyjave, në thelb ai tregon prirjen e qeverisë për ta sulmuar dhe diskredituar median.

Zëvendësimi i diskutimit të arsyeshëm me thashetheme dhe gënjeshtra, që ka qenë lajtmotiv i kësaj qeverie, është një tjetër gjë e mëshirueshme brenda atij teksti.

Në pamundësi për të sfiduar qëndrueshmërinë e cilitdo argument të shpalosur në shkrimin tim, ai kalon nëpër thashetheme, me po të njëjtën shpejtësi me të cilën Vjosa Osmani i përkulet Albin Kurtit.

Jo vetëm që gënjen, kur thotë që mua dikush më paskësh mbajtur si pëllumb, se unë i paskam shqelmuar dyert si kauboj dhe se i paskam mësuar krerët e shtetit si duhen moderuar raportet me Serbinë, por ai e projekton veten e tij tek unë.

Ngjashëm bën kur më akuzon se merrem me llafe koluaresh, derisa vetë shkrimi i tij nuk është veçse thashethemnajë. Më akuzon mua se qenkam përpjekur t’i lehtësoj e ndreq raportet me Serbinë, njeriu që është pjesë e projektit për marrëveshje pa njohje, sipas formuës së Ohrit.

Ai dhe shefja e tij e kanë mbështetur pa kursim këtë projekt, duke iu nënshtruar ëndrrave të kahmotshme të Aleksandar Vuçiçit për shmangie të njohjes. Bëhet akoma më qesharake kjo akuzë, kur vjen nga një rreth njerëzish që u kapën duke bashkëpunuar me kriminelin Milan Radojçiç.

E tillë ka qenë edhe akuza e dikurshme e Albin Kurtit se unë paskam qenë i lidhur me mafien energjetike nëpërmjet një kompanie serbe. Doli të ketë qenë miku i tij, Martin Berishaj.

Që teksti nuk ka kurrfarë logjike, është i shkruar dobët dhe i ndërtuar mbi dhjetëra gënjeshtra, ky nuk është problem politik, por një tregues i qartë i paditurisë dhe pandershmërisë së atij njeriu.

Nuk janë pjesë e thellësisë së problemit as sulmet ndaj meje, si përpjekje për diskreditimin e shprehjes së lirë, në mungesë të argumenteve, por lavdërimi i papërmbajtur i Vjosa Osmanit, deri në përulje, siç bëhej dikur me liderët e botës komuniste.

Mbiemrat që përdor ai për Vjosën i gjejmë veç në atë kohë, që mos u ktheftë kurrë.

Në të njëjtën kohë, ai e cilëson shefen si grua me ego, duke konfirmuar analizën time lidhur me problemet që ka ajo në menaxhimin e komplekseve personale. Përpjekja e dëshpëruar për ta marrë në mbrojtje Vjosa Osmanin, nxjerr në pah paditurinë e tij, meqë nuk arrin ta dallojë egon nga egoizmi, dhe njëherësh njëlloj përbetimi për të shërbyer symbyllur.

Aq e pamatshme është vogëlsia e Pecit, sa që nuk arrin as të polemizojë pa kryer ritualin e turpshëm të nënshtrimit të përulur ndaj shefes.

Përmes tij, del në sipërfaqe dukuria e shëmtuar që ka lëshuar rrënjë veçanërisht në tre vitet e fundit, e ngritjes në detyrë me kushtin e përulësisë dhe dëgjueshmërisë ndaj shefit.

Është kjo një sfidë që i shtrohet shoqërisë, e cila nëse nuk kalohet, rrezikon ta gërryejë ngrehën morale të saj.

Zbërthimin e replikës së parealizuar të Faton Pecit nuk e kam bërë duke shpresuar që do të më kuptojë ai, shefja e tij, apo të tjerë nga fraksioni i pazarxhinjëve politik të Listës Guxo.

Këtë e bëra sa për hir të opinionit publik, profesionit të cilit i jam dhënë për tridhjetë vjet, dhe për ta nxjerrë në pah varfërinë morale dhe mendore të disa prej njerëzve që udhëheqin me shtetin.

Vendi ynë, Kosova është nën sanksione ndërkombëtare, me shëndetësi, ekonomi dhe arsim të rrënuar, edhe për shkak të disa njerëzve si Vjosa Osmani e Faton Peci, që nuk janë në gjendje t’i shkruajnë dhjetë fjali pa gabime gjuhësore, kundërthënie logjike dhe gënjeshtra të pagëlltitshme.

Ndoshta nuk është e rastit që pikërisht këta njerëz janë ata që mbajnë më shumë leksione për dinjitet, drejtësi e atdhedashuri.