Rreth 16 shkolla të Prishtinës janë pa punëtorë teknik, të cilëve që nga muaji prill u ka skaduar kontrata e punës.
Si pasojë e kësaj, gjendja e higjienës nëpër shkolla nuk është aspak e mirë.
Papastërti mbizotëron në shkollën “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.
Prindër të nxënësve që vijojnë mësimet në këtë shkollë në kryeqytet, për Gazeta Blic kanë shprehur shqetësimin për gjendjen e higjienës aty.
Ata i kanë thënë Gazeta Blic se fëmijët e tyre po detyrohen t’i largojnë vetë mbeturinat.
Madje, sipas prindërve, fëmijëve në shkollë u është thënë që të mos ushqehen gjatë kohës kur gjenden aty, për të evituar përdorimin e banjës dhe të mos krijojnë mbeturina.
Kjo gjë është tejet shqetësuese për prindërit, pasi sipas tyre nuk është e logjikshme që fëmijët, sidomos ata të klasave më të ulëta të mos ushqehen gjatë periudhës kur gjenden në shkollë.
Po ashtu, ata thonë se në klasa ka mbeturina të shumta e banjot kundërmojnë erë të tmerrshme, derisa kanë frikë se fëmijët e tyre mund të marrin infeksione të ndryshme.
Lidhur me gjendjen në këtë shkollë, nga shkolla “Pjetër Bogdani” kanë thënë për Gazeta Blic se nuk janë vetëm punëtorët teknik të kësaj shkolle që nuk punojnë, por edhe në shkolla të tjera.
Sekretarja e kësaj shkolle, Flora Mehmeti ka thënë se janë shumë të zënë me punë dhe nuk kanë mundësi që ta pranojnë ekipin e Gazeta Blic për të parë nga afër gjendjen në këtë shkollë dhe për t’u deklaruar para kamerës.
Ajo ka thënë se drejtori i shkollës gjendet në pushim mjekësor, ndërsa që sipas prindërve, kjo shkollë prej 2 vitesh është pa drejtor.
Ndërsa, Gazeta Blic ka siguruar pamje të gjendjes në një klasë, në korridor dhe në banjë të shkollës “Pjetër Bogdani”, që mund t’i shihni më poshtë.



