Lajme

Shkolla “Faik Konica” del me njoftim pas raportimeve për sulm seksual ndaj të miturës: Ky është vendimi që kemi marrë

05/16/2021 23:21
nga:Gazeta Blic

Shkolla fillore “Faik Konica” në Prishtinë ka dalë me njoftim pas raportimit të një rasti të sulmit seksual ndaj një nxënëse të klasës së parë.

Në njoftim thuhet se drejtoria e shkollës ka ndërmarrë të gjitha masat si brenda edhe jashtë shkollës, duke njoftuar prindërit e të dy palëve, Policinë e Komunitetit, Qendrën për Punë Sociale dhe organe të tjera kompetente, dhe të gjithë personat që kanë mundur të preken në mënyrë indirekte nga rasti.

Gjithashtu kanë kërkuar nga institucionet e rendit të ndërmarrin veprime ndaj të gjitha atyre që paraqesin rrezik ndaj fëmijëve, si përmes shpërndarjes se inqizimit/videos, ashtu dhe përmes abuzimit verbal.

Njoftimi i plotë:

Reagim i Drejtorisë së Shkollës, Këshillit të Prindërve dhe Këshillit Drejtues të Shkollës.

Sot në takim me menaxhmentin e shkollës, prindërit e klasave të ndryshme, anëtarët e Këshillit të Prindërve, Këshillin Drejtues dhe Drejtorinë e Shkollës kemi diskutuar në detaje për rastin që ka ndodhur në oborrin e shkollës në ditë fundjave/vikendi. Fillimisht duam të ju konfirmojmë se Drejtoria e Shkollës, që nga pranimi i videos (dt. 24 prill) nga burime të paidentifikuara për rastin në fjalë, ka ndërmarrë të gjitha masat si brenda edhe jashtë shkollës, duke njoftuar prindërit e të dy palëve, Policinë e Komunitetit, Qendrën për Punë Sociale dhe organe të tjera kompetente, dhe të gjithë personat që kanë mundur të preken në mënyrë indirekte nga rasti.Jemi njoftuar se të gjitha këto institucione janë marrë me rastin prej momentit të njoftimit (dt. 24 prill), dhe të njëjtët kanë udhëzuar Drejtorinë që rasti të mbahet në konfidencialitet të plotë në mënyrë që të ruhet mirëqenia e fëmijëve. Përtej kësaj, jemi njoftuar se rasti është trajtuar dhe është duke u trajtuar edhe nga psikologu i shkollës dhe një psikolog i jashtëm. Ne si Drejtori e Shkollës, Këshill i Prindërve dhe Këshill Drejtues distancohemi nga të gjitha raportimet e pavërteta dhe linqime të fëmijëve, si dhe bëjmë ftesë nga të gjithë prindërit dhe më gjerë, që të përmbahen nga komentet që mund të rëndojnë gjendjen e fëmijëve. Kërkojmë nga institucionet e rendit të ndërmarrin veprime ndaj të gjitha atyre që paraqesin rrezik ndaj fëmijëve, si përmes shpërndarjes se inqizimit/videos, ashtu dhe përmes abuzimit verbal. Gjithashtu, lusim që të gjithë prindërit dhe nxënësit e shkollës, të keni bashkëpunim me kryetarët e klasave, Drejtorinë e Shkollës, Këshillin e Prindërve dhe Këshillin Drejtues për trajtimin e rastit në mënyrë që fëmijët të mos ndihen të pasigurtë, prindërit të kuptojnë që rasti është trajtuar në detaje dhe mosdiskutimi i rastit në publik është bërë me qëllim të ruajtes së gjendjes fizike e mendore të fëmijëve, sipas udhëzimeve të pranuara dhe nga policia, dhe jo heshtja siç është aluduar në media. Ju faleminderit për mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj të vazhdueshme në të mirë të fëmijëve tanë. Drejtoria e Shkollës, Këshilli i Prindërve dhe Këshilli Drejtues i Shkollës