Njohësi i çështjeve politike, Selam Shkodra, e cilëson vendim për qëllime elektorale vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mosçertifikim të Listës Serbe.
Shkodra ka thënë se nuk beson që anëtarët e KQZ-së nuk e kanë ditur se në momentin e aplikimit Lista Serbe i ka plotësuar kriteret.
“Fillimisht do të duhej të bëhej një raport dhe pastaj të merreshin nisma nga institucionet përkatëse, institucionet e sigurisë dhe mos nxirren këso vendime nën emocione ose për qëllime elektorale ose për qëllime partiake. Nuk besoj se ka aq njerëz të padijshëm në KQZ sa që të mos e dijnë se ky subjekt në formën se si ka aplikuar, pra në momentin e aplikimit i ka plotësuar kriteret se ata atë punë e bëjnë. Andaj besoj që këto veprime janë marrë nën emocione dhe për qëllime jo ligjore përkundër asaj që ky subjekt sipas pikëpamjes time po ta kryenin punën hallkat e tjera të institucioneve do të mund të faktohej që ka qëllim zhbërjen e shtetit të Kosovës”, ka deklaruar ai në Tëvë1.
Ndryshe, të hënën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e ka certifikuar Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve në Kosovë – për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Ndërkaq, të mërkurën Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka anuluar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe e ka urdhëruar atë që ta certifikojë partinë politike, Lista Serbe, për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.