Lajme

Shkodra: Lajçaku ka fjetur një vit, ka treguar përralla poshtë e përpjetë

09/10/2024 22:33
nga:G B

Njohësi i çështjeve politike, Selam Shkodra, tha se Serbia ka minuar dialogun me letrën e ish-kryeministres Ana Bërnabiq dërguar në BE dhe me sulmin terrorist në Banjskë.

Sipas Shkodrës, këto dy veprime nga ana e shtetit serb kanë qenë kapitale për mos vazhdimin e dialogut.

“Serbia dialogun e ka minuar në dy rrafshe. Dy veprime kanë qenë kapitale të saj që i kanë dhënë goditjen përfundimtare të dialogut në këtë format. Me letrën e dërguar në Bruksel nga ana e Bërnabiq dhe me agresionin në veri”, tha ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.

Ndërkohë, ai komentoi edhe deklaratën e emisarit Miroslav Lajpak për tërheqjen e letrës nga Serbia.

“Lajçak tha pas një viti për tërheqjen e letrës nga ana e Bërnabiqit. Ka fjetur një vit ka treguar përralla poshtë e përpjetë. Ajo është dashur të bëhet në një afat rekord. Serbisë është dashur t’i bëhet presion që brenda jave të tërhiqet ajo”, deklaroi njohësi i çështjeve politike.

Ai thotë se sa i përket rastit në Banjska, BE është treguar e pafuqishme.

“Bashkësia ndërkombëtare prapë u tregu e pafuqishme që t’i tregojë një herë e përgjithmonë Serbisë se ose duhet të zgjedhësh udhën e armëve ose duhet të zgjedhësh rrugën e tavolinës për t’i zgjidhur problemet”, shtoi Shkodra.