Lajme

“Shko Hashim”, “ministri me shurdhuese”/ Haradinaj: Kurti ka një zor – ja si do të veprojë me PDK-në

05/24/2024 22:45
nga:G B

AAK po lufton që ta çojë në shtëpi Kurtin dhe ta mundë VV-në.

Kështu është shprehur lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një intervistë për Blic Interview.

Ai thotë se Kurti mund t’u thotë që ta sjellin mocionin dhe ta votojë VV-ja, por nëse ai se bën këtë, s’ka pse ta dëgjojë atë opozita në kërkesat e tij.

“Desha t’ju korrigjoj kur thatë dy partitë më të mëdha, e di që nuk e keni tendencioz, ne besojmë se AAK-Nisma bëjnë më shumë se secila parti tjetër në Kosovë sot, edhe më shumë se VV-ja dhe po luftojmë që ta mundim VV-në, e bazuar në këtë që po thoni, unë jam i interesuar që ta çojmë Kurtin në shtëpi sot por jo me një përparësi gjatë procesit. Nëse ia bëjmë një nder këtij që t’ia aprovojmë Kurtit kërkesën. Ne kërkojmë shumëçka. Ne kemi kërkuar mocion që sa kohë, por Kurti nuk na aprovon, ai mund të thotë silleni dhe ua votojmë, deputetët e tij mund ta bëjnë. Nëse ai nuk e bën, as ne s’mund ta bëjmë atë që ai kërkon”.

Por, Haradinaj ka një ofertë për Kurtin.

“Por ne e kemi një ofertë për Kurtin, e ka mocionin, ai mund ta kryejë punën me 60 vota dhe s’ka nevojë për ne, hiç as për Aleancën ose e ka atë që është më e ndershme, që e bën çdo politikan kur e sheh që është koha e duhur për të shkuar në zgjedhje, është dorëheqja, unë s’dua as ta frikësoj Kurtin që me dorëheqje humb shumë përqindje, por ai duhet ta bëjë një analizë cila është mënyra e duhur për t’i dhënë përgjigje kësaj situate. Unë mendoj që i takon atij që të reflektojë. Na e humbi KiE-në, me këtë na i ka humbur krejt etapat tjera integruese, ai njeri më së paku është dashur të shkojë deri në parlament, të thotë po ua kthej mandatin, faleminderit që ma keni dhënë, po ua kthej, kthejani sovranin qytetarëve. Unë besoj që këtu është thelbi”, shprehet ai.

Haradinaj ka folur dhe për darkën e Kurtit me PDK-në, derisa ka kujtuar deklaratën e tij ndaj Thaçit “shko Hashim”, e “ministri me shurdhuese” drejtuar Abelard Tahirit, me të cilin thotë se tani ishin përballë. Sipas tij, kjo tregon se ai e ka një zor.

“Aq sa e njoh Kurtin, ai ka bërë disa tejkalime që në situatë të zakonshme nuk i bën, në situata të tjera i ka thënë Hashimit “Shko Hashim”, në parlament, Abelard Tahirit i ka thënë “me shurdhuese”, ministër a deputet, ka përdorur kualifikime të rënda fyese e ofenduese, ndaj të gjithë neve jo vetëm ndaj atyre, e pra një përshtatje e Kurtit deri edhe në darkë ballë për ballë me ministrin me shurdhuese, me partinë që i thoshte “Pronto” ose “Shko Hashim”, tregon që ai e ka një zor, ka diçka prapa saj, ka motiv pse e bën atë, e tash në çka aludojmë”, vlerëson ai.

Më tej, lideri i AAK-së potencon se Kurti ka zhvilluar një strategji, derisa kujton deklaratat ndaj LDK-së e Rugovës e më pas afrimin me të dhe koalicionin, teksa shton se tani me PDK-në mund ta ketë strategjinë që t’i marrë vota ose ta dëmtojë.

“Kurti e ka zhvilluar një strategji për të kaluarën që askush s’ka besuar që ai i përpin kualifikimet që i ka thënë për kryeministrin Mustafa ose edhe për presidentin Rugova, edhe kur i erdhi puna te interes i caktuar, i bëri krejt ato gjeste që ia mundësuan pastaj t’i ofrohet LDK-së dhe elektoratit të saj. Mendoj që e ka një strategji të marrjes së votës së caktuar apo të dëmtimit të PDK-së, ai ndoshta e pranon që do t’i kushtojë dhe atij në një lloj situate të caktuar por ndoshta e mendon për veten të përballueshme, por sot kush i beson Kurtit në politikë, vërtet bravo i qoftë. Kurti në pushtet është njeriu që çdo qëndrim të vetin e ka ndryshuar për 180 shkallë”, potencon Ramush Haradinaj./Gazeta Blic/