Sporti

Shkëndija “ndezi” Zvicrën, festë shqiptare në Wil

09/11/2023 21:29
nga:E K

Spektakulare. E mahnitshme. Fantastike. Mrekulli…..Këto mund të jenë vetëm disa nga fjalët që mund t’i dëgjosh nga ata që të shtunën ishin në Wil të Zvicrës ku Shkëndija e Tetovës fitoi 3:1 ndeshjen miqësore me FC Wil në stadiumin e stërmbushur me spektatorë si kurrë më parë e ku me përqindje absolute dominonin shqiptarët nga gjitha viset e Zvicrës dhe jo vetëm.

Velija, Totre e Krasniqi shënuan për kuqezinjtë, duke bërë të pavlefshëm barazimin e përkohëshëm të vendasve që realizuan me Brahimin.

Këto janë në pika të shkurtëra detajet kryesore të ndeshjes, por spektakli ishte në tribuna ku edhe zyrtarisht është thyer rekord i pranisë së publikut. 4953 bileta të shitura, pa llogaritur faktin se dyert e stadiumit u hapën kur nisi ndeshja sepse biletat kishin përfunduar. Ndeshja miqësore e inicuar nga imami i Xhamisë së Wil-it, Bekim Alimi rezultoi spektakël i vërtetë, sepse në Wil të Zvicrës ishte festë e vërtetë, kombinim i sportit, futboll, kulturë, art, trashëgëmia shqiptare, valle, traditë dhe sport i mundjes u gërshetuan dhe u ngërthyen bashkërisht si është më së miri.

Në Wil shqiptarët manifestuan në vepër aftësi admiruese organizative, u grumbulluan masovikisht në mbështetje të KF Shkëndija nga Tetova, duke vërtetuar edhe një herë se ky klub është më shumë se një ekip futbolli. Një amblem kombëtare dhe skuadër që din të unifikojë si askush tjetër shqiptarët.

Në një atmosferë impozante e festive në stadiumin “Lidl Arena” në Wil, nuk ishte vetëm miqësore futbollit Wil-Shkëndija, por shumë më shumë se aq në një event të pasur kulturo-artistik. Shoqëria Kulturo Artistike “Xheladin Zeqiri” bashkë me grupin “Elita 5” udhëtuan nga Tetova për të madhështuar organizimin, derisa performansën e mundësve tradicional e ngriti në nivel më të lartë prezenca e Kampionit Olimpik, Shaban Trstena.

Pronari i Shkëndijës, filantropi Lazim Destani duket se shijoi në maksimum këtë ngjarje në Zvicër e ku meritat shkojnë për gjithë organizatorët, hoxhën Bekim Alimi e klubin e futbollit Wil.

Bravo, ju lumtë të gjithëve.