Lajme

‘Shkëlqimi dhe rënia e Lëvizjes Vetëvendosje’

10/26/2021 19:15
nga:Y I

Partia e Albin Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, tetë muaj më parë arriti të ‘korrë’ një fitore spektakolare në zgjedhjet e 14 shkurtit duke marrë mbi 50% të votave të përgjithshme dhe duke formuar e vetme Qeverinë, raporton Gazeta Blic.

Por, një rezultat i tillë nuk u reflektua në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, ku ky subjekt politik, nuk arriti të fitojë asnjë komunë në raundin e parë pa balotazh.

Ndërkaq ajo ra dukshëm në votën popullore.

Nga 438 mijë vota më 14 shkurt, ra në 152 mijë vota më 17 tetor, duke pësuar rënie mbi 285 mijë vota.

Lëvizja Vetëvendosje në raundin e dytë pritet të shkojë në balotazh në 12 komuna, por me një rënie të dukshme në vota krahasuar me zgjedhjet nacionale.

Po cilat ishin arsyet e renies së VV-së për vetëm tetë muaj?

Njohësi i rrethanave politike në vend, Rasim Alija, renditi disa arsye pse VV-ja pati rënie në këto zgjedhje.

Sipas tij një ndër faktorët është mungesa e figurave lokale nga ky subjekt politik, mungesa e një modeli të sukseshëm të qeverisjes nga LVV-ja në nivel lokal, dhe temat që trajton kjo parti.

“Modeli i zgjedhur nga LVV-ja për zgjedhjet lokale, duke tentuar ta bartin modelin e 14 shkurit me 17 tetor, ka qenë një lloj shkarje e pavetedijshme, që si produkt ka zero komuna të fituara nga LVV ne raundin e parë. Së dyti është problemi i kahmotshem i LVV-së, mungesa e figurave lokale që do mund të merrnin mjaftushem vota duke qenë konkurent të denjë karshi kandidateve të tjerë në garën e zgjedhjeve lokale”

“Në shumicen e komunave, perjashto komuna si Lipjani, Gjilani e Prishtina, ku LVV-ja ka pasur kandidat cilësor në të gjitha aspektet, në komunat tjera ka pasur kandidat të ricikluar, harxhuar dhe veç sa për të përmbushur obligimin e marrjes pjesë në garë. Aryset tjera janë socio-politike, që lidhen me mënyren e se si votohet në zgjedhjet lokale, prezenca e vakët e LVV në nivel lokal, mungesa e një modeli të sukseshem të qeverisjes nga LVV në nivel lokal, shifni Prizrenin dhe Prishtinën, modele të kqija të qeverisjes lokale. Ndërsa arsye tjetër është edhe fakti që LVV trajton dhe shoshit tema që prekin në masë të madhe shtetin si tëresi, permbajtjen se si duhet te duket shteti sipas LVV. Kjo le shume pak fokus që LVV të trajtoj tema të qevrisjes lokale. Dhe te gjitha keto elemente se bashku, kane produkt final rezultatin që është marrë me 17 tetor” tha Alija për “Gazeta Blic”

Ndërsa analisti, Shemsi Jashari, nuk e sheh befasuese rënien e VV-së në zgjedhjet e 17 tetorit.

Ai potencon se  LVV-ja nuk ka kuadro të përgatitura në nivel lokal, po stagnon në fushat ku kishte premtuar shumë dhe faktor tjetër sipas tij është ndërrimi i lidershipit në LDK dhe PDK.

“Rënia e mbështetjes në vota për VV-në në zgjedhjet lokale, nuk është befasuese dhe ka qenë e pritshme pasi në nivelin lokal LVV-ja nuk ka kuadro të përgatitura dhe me autoritet.Rritja e shpejtë e mbështetjës për LVV-në, në zgjedhjet e fundit ka qenë si rezultat i paknaqësisë së qytetarëve me pushtetet e kaluara, viktimizimit që Kurti e bëri kur u rrëzua nga qeveria dhe jo për shkak të programit apo orientimit ideologjik.Tashmë që pamë si po qeverisë vetë  Kurti kur ka shumicën e nevojshme dhe pa koalicione, ka mundësitë për ta bërë ndryshimin e premtuar, nuk po e shohim ndryshimin. Perkundrazi po shohim një hutim dhe stagnim sidomos në fushat ku kishte premtuar shumë, rend dhe ligj, zhvillim ekonomik, politikë të jashtme.Një faktor tjetër është ndërrimi i lidershipit të LDK-së dhe PDK-së e që po lexohet si reformë dhe laegim nga skena të atyre që mbajnë pergjegjësinë direkte për problemet me qeverisjën në të kaluarën” tha Jashari për “Gazeta Blic.

Ndërsa për profesorin universitar, Muhamed Kelmendi, këto janë dy arsyet kryesore të rënies së VV-së në këto zgjedhje.

“VV-ja është ne pushtet nga fillimi i ketij viti. Pretendimet e VV kanë qenë të mëdha. Nuk ka fushë qe nuk ka propaganduar ndryshime të mëdha dhe shumë pozitive.
Tash po kalojnë mbi 9 muaj dhe ndryshimet po mungojnë. Shikuar ne këtë anë, del se faktor kryesor të humbjes se numrit të votave mbi 40%, janë pikerisht deshtimet e VV-së në nivel lokal dhe qëndror. Faktor tjetër është mos-perzgjedhja e kandidateve të kualifikuar për pushtet lokal. Këta janë dy faktorët me kryesorë, natyrisht se ka edhe të tjerë, pse kemi një ulje të madhe të votave për VV-në. Dhe, nese keshtu shkon, do të kemi ikje edhe më të madhe të qytetareve nga VV-ja” tha Kelmendi për Gazeta Blic.

Megjithatë, lideri i Vetëvendosjes ka vlerësuar se partia e tij është fituese e zgjedhjeve.

Në zgjedhjet parlamentare:
12 dhjetor 2010 – Lëvizja VETËVENDOSJE! e treta në nivel vendi
6 tetor 2019 – LVV e para
14 shkurt 2021 – LVV mbi 50%.

Në zgjedhjet lokale:
3 nëntor 2013 – LVV e katërta në nivel vendi
22 tetor 2017 – LVV e treta
17 tetor 2021 – LVV e para.

Ju falemnderit qytetarë të dashur. Vazhdojmë në raundin e dytë në 12 komuna më 14 nëntor 2021”, ka shkruar Kurti më 18 tetor, një ditë pas zgjedhjeve.

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka njoftuar se raundi i balotazhit pritet të zhvillohet me 14 nëntor dhe se fushata elektorale do të zgjasë vetëm pesë ditë.

/Gazeta Blic/

FSK-ja e gatshme t’i ofrojë ndihmë Shqipërisë, pas helmimit të qytetarëve në Krujë