Sporti

Shkëlqeu në dy ndeshjet e para, Balaj: Kalimi i raundit ishte me rëndësi – ndaj Copenhagen do jetë e vështirë, por gjithçka e mundur

07/16/2025 11:46
nga:Lorik J

Liridon Balaj padyshim ka qenë një nga lojtarët më të mirë të ekipit të Dritës në dy ndeshjet e para në Europë ndaj Differdange.

Balaj i cili erdhi tek Drita në këtë afat kalimtar të verës, la përshtypje pozitive, si në fitoren 1:0 në Prishtinë, poashtu edhe dje me asistimin e tij në fitoren 2:3 në Luksemburg.

25 vjeçari thotë se stafi i klubit e priti shumë mirë, andaj ambientimi ishte i lehtë tek “Intelektualët”, teksa shprehet i lumtur për kalimin e raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

“Fitore mjaft e rëndësishme, nuk ishte e lehtë, por me vetëbesim dhe angazhim të të gjithëve e arritëm kalimin e raundit. Po ndihem shumë mirë dhe këtë ma kanë mundsëuar lojtarët dhe stafi që nga dita e parë, me mikpritjen e tyre, shpresoj të kemi sa më shum suksese”, tha fillimisht Liridon Balaj për ‘GazetaBlic Sport’.

Në raundin e dytë kualifikues për Champions Legaue, Drita do të përballet me ekipin e madh danez, Copenhagen.

Sulmuesi anësor thotë se do jetë e vështirë, por në futboll gjithçka është e mundur.

“Na pret një perballje mjaft e vështirë, pasi të gjithë e dimë se sa ekip i fortë është Copenhagen, mirëpo në futboll gjithçka është e mundur”, përfundoi Balaj.

Ndeshja e parë mes Dritës dhe Copenhagen luhet të martën e ardhshme, me 22 korrik në Danimarkë, teksa ajo e kthimit me 29 korrik në Prishtinë.

/GazetaBlic Sport