Maroku mund të konsiderohet pa frikë si surpriza më e bukur e Botërorit të Katarit. Kombëtarja afrikane mbërriti deri në gjysmëfinale ku u mposht nga Franca, mirëpo gjatë rrugëtimit të tyre ia dolën me sukses përballë kombëtareve eksperte si Belgjika, Spanja apo Portugalia.
Tashmë, shumë lojtarë marokenë që nuk ishin të njohur më parë, falë performancës individuale dhe asaj në ekip, kanë fituar simpatinë e shumë klubeve europiane. Një prej tyre është Azzedine Ounahi, i cili shkëlqeu në mesfushën e trajnerit Walid Regragui, madje në sfidën kundër Spanjës fitoi edhe komplimentat e Luis Enrique.
Për Ounahi që aktivizohet me Angers në Ligue 1, ka interes nga ana e Leicester, West Ham dhe Wolverhampton që janë të gatshëm të paguajnë deri në 20 milionë paund për shërbimet e 22-vjeçarit.
Nga ana tjetër, Angers pretendon 40 milionë teksa francezët synojnë të shfrytëzojnë momentin që lojtari i tyre është në qendër të vëmendjes, por edhe faktin se me të kanë një kontratë të vlefshme deri në vitin 2026.
Megjithatë, klubet e Premier League vështirë ta kalojnë pragun e 20 milionë paundëve duke përfituar edhe nga fakti që vetë lojtari është i prirur për t’u aktivizuar në kampionatin më të fortë në Europë.