Lajme

Shkatërrimi i laboratorit të drogës në Prishtinë, Policia: Substancat përpunoheshin dhe shiteshin në doza të vogla në rajone të ndryshme

09/22/2024 14:38
nga:G C

Një tjetër laborator që përdorej për përpunimin e heroinës dhe kokainës, është shkatërruar në Prishtinë.

Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka dhënë detaje rreth zbulimit të këtij laboratori dhe shkatërrimit të tij.

Ky laborator në rrugën “Hyzri Talla” është zbuluar pas një hetimi dhjetëmujor, me masa të veçanta hetimore të aplikuara nga hetuesit e antidrogës.

“Pas një pune hetimore rreth dhjetë mujore, në podrumin e një banese-vendbanimi është gjetur substancë e dyshuar narkotike në gjendje të lëngshme në enë plastike,” njofton Policia e Kosovës.

Substancat ishin në proces të terjes dhe ngurtësimit, ndërsa në vendngjarje u gjetën edhe mjetet e përdorura për përpunimin e këtyre substancave.

Policia dyshon se laboratori ka qenë aktiv për një periudhë të gjatë, dhe substancat e përpunuara përdoreshin për paketim dhe shitje në rajone të ndryshme të vendit.

“Dyshohet që ky ‘Laborator’ është përdorur nga të dyshuarit për një periudhë kohore, ku substancat paketoheshin në doza të vogla për shitje në rajone të ndryshme të vendit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia vazhdon të kërkojë nga qytetarët që të ndihmojnë në luftën kundër narkotikëve, duke ofruar informata të rëndësishme për zbulimin dhe parandalimin e veprimtarive të tilla të rrezikshme për shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve.

Ndryshe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se “askush nuk do të jetë i paprekshëm para ligjit,” duke theksuar se laboratori i fundit i zbuluar ishte i 19-ti në tri vitet e fundit.