Lajme

Shkarkohet Drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Ilirik Musliu

02/02/2024 14:58
nga:N K

Është shkarkuar nga detyra drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Ilirik Musliu.

Lajmin e ka bërë të ditur, vetë kreu i kryeqytetit, Përparim Rama, duke vlerësuar se vendimi erdhi pas mungesës së përmirësimit të gjendjes me mbeturina.

“Të gjithë jemi dëshmitarë të gjendjes aktuale alarmante në Kryeqytet lidhur me menaxhimin e mbeturinave. Si Kryetar i Kryeqytetit, tash e një vit kam kërkuar në vazhdimësi nga drejtoria përkatëse zgjidhje të kësaj situate alarmante dhe të papranueshme. Por, përkundër të gjitha këtyre kërkesave, gjendja jo që nuk është përmirësuar, por përkundrazi është përkeqësuar. Andaj, sot, kam marrë VENDIM për të liruar nga detyra Drejtorin e Shërbimeve Publike”, ka shkruar ai në Facebook.

Rama ka theksuar se përkundër buxhetit shtesë të ndarë për këtë drejtori dhe mbështetjes së vazhdueshme, rezultate pozitive nuk ka pasur.

“Për më tepër, ju njoftoj se, në cilësinë e Kryetarit të Kryeqytetit, kam bërë përpjekje duke krijuar një Task Force dhe kam ndarë buxhet shtesë për këtë drejtori dhe ndërmarrjen përkatëse, por përkundër kësaj mbështetje të vazhdueshme nuk ka pasur rezultate nga drejtoria në fjalë. Prandaj, kam vendosur që të ndërhyjë dhe të marrë përsipër zgjidhjen e kësaj situate”, ka shtuar ai.

Musliu vjen nga Partia Demokratike e Kosovës.