Sporti

Shkarkohet Alberto Gilardino

02/01/2026 12:34
nga:G B

Pisa Sporting Club ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimin me trajnerin Alberto Gilardino.

Vendimi i klubit toskan erdhi pas humbjes 3-1 në shtëpi ndaj Sassuolos, rezultat që rezultoi fatal për të ardhmen e teknikut në bankinën zikaltër.

Në një deklaratë zyrtare, klubi njoftoi largimin e Gilardinos, duke theksuar se bëhet fjalë për një vendim të vështirë si në aspektin personal ashtu edhe profesional.

“Pisa Sporting Club njofton se i ka komunikuar Alberto Gilardinos dëshirën e dhimbshme personale dhe profesionale për të ndryshuar stafin e trajnerëve të ekipit të parë. Falënderimet tona më të sinqerta shkojnë për Alberton dhe të gjithë stafin e tij për gjithçka që kanë kontribuar për klubin, ekipin dhe tifozët zikaltër në muajt e fundit”, thuhet në njoftimin e klubit.

Më tej, drejtuesit e Pisës bëjnë të ditur se emri i trajnerit të ri do të publikohet në orët në vijim.

Sipas mediave italiane, kandidati kryesor për të marrë drejtimin e ekipit është Marco Giampaolo, i cili pritet të rikthehet në bankinë pas përvojave të mëparshme në Serie A dhe Serie B. Vendimi final pritet të zyrtarizohet shumë shpejt.