Lajme

Shkarkimet në Komunën e Prishtinës/ Analisti: Mund të prishet koalicioni, humbëse PDK – Rama s’ka më nevojë për të

02/06/2024 15:07
nga:G B

Njohësi i çështjeve politike, Arbnor Sadiku, vlerëson se shkarkimi i nënkryetares së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, nga radhët e PDK-së, nga kryetari i Prishtinës Përparim Rama, ka qenë i paramenduar.

Kështu thotë ai në një prononcim për Gazeta Blic.

“Shkarkimi i nënkryetares së Prishtinës znj.Sahatçiu ka qenë i paramenduar sepse ajo s’ka pasur raporte të mira as me PDK, e as me partnerin tjetër në koalicion, LDK-në dhe z.Rama”, shprehet Sadiku.

Sa i përket mundësisë së prishjes së koalicionit, analisti thotë se është e mundshme një gjë e tillë, pasi PDK nuk i duhet Ramës.

“Kurse, prishja e koalicionit ndërmjet LDK-së dhe PDK-së është shumë e mundshme sepse z.Rama tashmë buxhetin e ka miratuar dhe pothuajse më edhe s’ka shumë nevojë për PDK-në që te udhëheq ekzekutivin. Vitin tjetër vetëm për mos të shkuar në zgjedhje ekzekutivi i Prishtinës, jam i bindur se z.Rama do t’ia votojë buxhetin opozita, njëjtë si me parë z.Ahmeti”, vlerëson ai.

Sadiku thekson se PDK ka vepruar keq taktikisht dhe s’ka mundur t’i arsyetojë veprimet e saj, andaj sipas tij, nëse prishet koalicioni, PDK mbetet humbëse.

“PDK-ja ka vepruar keq taktikisht dhe veprimet e saja nuk ka mundur t’i arsyetojë praktikisht, përveç faktit që i ka pasur dy role në koalicion me LDK-në, në ekzekutiv pozitë, e në Kuvend Komunal opozitë. Epilogu është i qartë, koalicioni LDK-PDK mund të prishet dhe humbësi kryesor mbetet PDK-ja”, përfundon analisti Arbnor Sadiku./Gazeta Blic/