Lajme

Shkarkimet e prishja e koalicionit/ Përparim Rama: As PDK s’e ka të qartë – nënkryetarja refuzoi digjitalizimin, drejtori dështoi me mbeturinat

02/16/2024 22:45
nga:G B

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në një intervistë për Blic Interview me Astrit Gashin, ka folur për shkarkimet e nënkryetares së Komunës dhe drejtorit të shërbimeve publike, të dy nga radhët e PDK-së, largimin e kësaj të fundit nga koalicioni me LDK-në, projektet e tij për kryeqytetin, ofertat nga Kurti për t’iu bashkuar VV-së, e shumë të tjera.

Ai vlerëson se drejtorëve të PDK-së iu ka dhënë hapësirë të madhe për operim, por që gjërat sipas tij janë politizuar panevojshëm dhe ka ardhur te prishja e marrëveshjes.

“Çështja e koalicioneve qysh unë i kuptoj dhe konceptoj është kur grupet bëhen bashkë për një vizion, për një mision edhe konsultohen dhe pajtohen për t’i çuar proceset përpara dhe këtë e kemi bërë edhe në Prishtinë dhe si rezultat si anëtar më i vogël i koalicionit, PDK, drejtorët e të cilit edhe kanë ardhur si rezultat, i kam diskriminuar pozitivisht, ju kam dhënë hapësirë të madhe për operim që mos ta ndiejnë veten të diskriminuar negativisht dhe kjo ka ndodhur gjatë gjithë kohës. Për fat të keq gjërat janë politizuar panevojshëm dhe tash ka ardhur deri te prishja e një marrëveshje, po kjo prishje po them është si rezultat i disa muajve paraprak”, thotë Rama.

Kryetari thotë se ende nuk e di për çka s’u pajtua me PDK-në, derisa tregon arsyet që kanë dhënë ata.

“Unë ende nuk e di çka s’u pajtuam. Po them nuk e di ende sepse për muaj të tërë asamblistët e PDK-së s’kanë ardhur në asamble, për faktin që kam pyetur pse, tre muaj e fundit nuk kanë ardhur dhe nuk kanë treguar pse. Një arsye ka qenë që pikët që ne i marrim nga drejtoritë e ndryshme për rend të ditës për asamble që ne nuk i paskemi dërguar së pari te PDK-ja e pastaj tek të tjerët, mirëpo ne këtë proces e kemi bërë nga fillimi ku edhe pjesëtarët e PDK-së, drejtorët kanë qenë dhe i dërgojnë të gjitha pikat njësoj, ku ne i shikojmë dhe ua dërgojmë të gjithëve ku ka ndodhur dhe më parë që anëtarët e koalicionit të heqin ndonjë pikë ne i kemi hequr. Asnjëherë nuk ka qenë një insistim që të mbajmë diçka që s’jemi pajtuar të gjithë së bashku dhe kështu ka ndodhur gjatë gjithë kohës, deri kohët e fundit”, thekson i pari i Prishtinës për Blic Interview.

Ai shton se asamblistët nuk i kanë parë si makina votimi dhe i ka respektuar dhe se s’ka pasur arsye për prishje të koalicionit.

“Ne asnjëherë nuk i kemi trajtuar si makinë e votimit, ne i respektojmë të gjithë asamblistët e kuvendit komunal sepse janë të votuar nga qytetarët. Kemi edhe filtera tjerë si KPF ku diskutohen pikat para se të dalin në rend dite, nuk janë gjëra që janë të padijshme apo pikin prej qiellit. Nuk kam parë ndonjë arsye që të vije deri te prishja e koalicionit shkaku i kësaj, edhe përkundër faktit që kemi pasur raste kur disa pika janë kërkuar për t’u tërhequr dhe janë tërhequr, edhe këtë kohë e fundit kanë pasur 2-3 javë për të treguar për çka nuk pajtohen dhe t’i tërheqim, si, siç e kemi bërë gjithmonë pa asnjë pengesë, pa asnjë problem por si duket kanë kërkuar arsye për t’u ndarë dhe nuk e kuptoj pse”, potencon Rama.

Për shkarkimin e drejtorit Ilirik Musliu, ai thotë se ishte problemi me mbeturinat, për çka ishte konsultuar dhe me Uran Ismailin dhe ishin vendosur afate por që nuk ishte respektuar dhe çështja nuk ishte zgjidhur.

“Në 6 muajt e fundit ka pasur tendenca të cilat janë dukur që ndoshta ka…jo, jo s’ka pasur kërcënime. Me siguri ka pasur pakënaqësi por po them me e shpjegu çka nuk e di sepse nuk ma kanë treguar çka është problemi, se i kam pyet. Kemi pasur takime ku i kam thënë edhe Uranit që kemi probleme të mëdha me mbeturina në qytet, çka po ndodh, duhet të zgjidhet ky problem dhe si rezultat kemi pasur disa afate të njëpasnjëshme që nga janari i vitit të kaluar, ku edhe kur ka ardhur drejtori i ri në ndërmarrjen ‘Pastrimi’ kemi pasur diskutime edhe se si ta tejkalojmë problemin, kemi pasur kërkesë për subvencionim, i kemi përmbushur ato kërkesa, iu kemi dhënë para shtesë, kërkesë për buxhet të shtuar në drejtorinë për shërbime publike, prapë e kemi përmbushur dhe ju kam thënë që nëse s’mund ta bëni drejtoria dhe ndërmarrja, po e bëjmë një tender për kompani private që ta ndihmojë problemin deri kur zgjidhet ai, mirëpo të gjitha këto procese kanë stagnuar, ato datat kur jemi pajtuar për t’i tejkaluar këto probleme nuk janë mbajt, s’ka ndodhur asgjë, kanë ndodhur gjëra negative, janë vonuar edhe kontejnerët, kamionët”.

Por, a nuk po e bënin si duhet punën vetëm drejtorët e PDK-së?

Për këtë, kryetari Rama thotë se drejtoria që duhej të kujdesej për zgjidhjen e problemit me mbeturina ishte e PDK-së.

“Ky dikaster është përbrenda drejtorisë së shërbimeve publike ku drejtori ishte i PDK-së. Unë po them që ka pasur edhe shumë gjëra që janë bërë mirë por kryesorja ka qenë pastërtia në kryeqytet që lidhet me shëndetin e qytetarëve, me problemin me qentë endacakë, që nuk është trajtuar, ka mbetur e neglizhuar dhe faktikisht është përkeqësuar dhe si rezultat po them dhe kur e ka marrë mandatin kam thënë që s’kam asgjë kundër asnjë partie, asnjë personi, vetëm dua njerëz profesionistë, me kompetenca menaxheriale për t’i zgjidhur problemet të cilat i kemi këtu në kryeqytet dhe këtë e kam kërkuar gjithë kohën dhe pa e personalizuar çështjen, kjo nuk ka ndodhur përkundër faktit të pajtimeve për afate dhe prapë s’po them që nuk ka ndodhur se ata nuk kanë dashur ta bëjnë, por tash opinionet mund të jenë ndryshe por faktet janë fakte. Fakti është që gjendja e pastrimit të mbeturinave është përkeqësuar”, shton ai.

Rama deklaron se nënkryetaren Donjeta Sahatçiu e ka shkarkuar për shkak të refuzimit të saj për procesin e digjitalizimit të kryeqytetit.

“Jo nuk është e vërtetë. Unë faktikisht e kam shkarkuar një drejtor dhe nënkryetaren, e cila ka qenë përgjegjëse për digjitalizim dhe ka çaluar që nga fillimi në këtë proces dhe ka ardhur pika ku dhe unë kam kërkuar, në shtatorin e vitit të kaluar e kemi pasur një problem në të gjitha shkollat me mungesë të librave dhe e kemi pasur mundësinë për ta shtyrë përpara një kurrikulë digjitale, kemi pasur buxhet dhe kemi biseduar e jemi pajtuar me nënkryetaren Sahatçiu dhe drejtoreshën e Arsimit Besianë Musmurati dhe s’ka ndodhur”, thotë ai.

Kryetari i Prishtinës thotë se kur e ka pyetur Ismailin se pse ka ndodhur kjo, ai s’e ka pasur të qartë, teksa shton se kur dikush nga ekipi e saboton një pikë të saj, s’ka pse të jetë pjesë e atij ekipi më.

“Ka qenë në fakt prioritet edhe i imi edhe i partnerit, Uranit, por ja që kjo s’ka ndodhë. Kur jam takuar me Uranin e kam pyetur pse dhe as ai s’e ka pasur të qartë, ka thënë se edhe ai ka kërkuar. Nënkryetarja ka refuzuar të shtyjë projektin përpara, ka dalë me një email që nuk e bëj këtë për shkak të disa proceseve. Ajo e ka refuzuar procesin e digjitalizimit, sepse ato shkojnë në disa procese, të prokurimit, të tenderit dhe marrim ofertën më të mirë për qytetarin dhe ka refuzuar ta bëjë. Normal që unë si kryetar kam përgjegjësi ndaj qytetarëve për gjërat që i kam premtuar shty dua t’i shtyjë përpara, kështu që i kam kërkuar ekipit që ta shtyjë përpara këtë proces dhe e kemi bërë dhe po them që nëse një pjesëtar i ekipit bëhet pjesë e një vizioni të përbashkët ku jemi bërë bashkë, por një pikë e saboton, atëherë unë nuk mund t’i mbaj ata njerëz si pjesë të ekipit”, deklaron Përparim Rama.

Ai shton se vendimet për shkarkime janë marrë në bazë të diskutimeve që kanë nisur nga viti i kaluar.

“Nuk po them ashtu dhe nuk ka ndodhur ashtu, kanë ndodhur edhe riorganizime të tjera. Ne i kemi pasur workshopet në tetor dhe nëntor të vitit të kaluar, ku kanë qenë krejt pjesë e tyre dhe kemi diskutuar rreth shkrirjes së disa drejtorive në një, krijimit të drejtorive të reja, mundësive, reflektimit të drejtorive që kanë kryer punë të mirë dhe atyre që s’kanë kryer punë mirë, etj., ka pasur diskutime të shumta dhe kemi marrë vendime në bazë të këtyre diskutimeve që kanë filluar vitin e kaluar”, potencon Rama.

I pari i Prishtinës përmend dhe rastin e rrëzimit të çatisë, që thotë se janë bërë hetime dhe ka dalë që ajo ka qenë e lëshuar njëra mbi tjetrën dhe jo e shtanguar, e po ashtu është përdorur material joadekuat.

“E kemi bërë dhe drejtorinë e transformimit që ka të bëjë me cilësinë e materialeve, e patëm rastin e rënies së çatisë së ndërtesës së komunës, ku nga ajo erë që ka fryrë nuk është dashur të rrëzohet kulmi, ndërtesa është ndërtuar në vitin 2009 dhe e ka fluturuar atë kulm. Kemi bërë investigim ku dhe e kemi parë…Jo nuk është meremetuar ai pullaz në kohën time, aty është gjetur, si rezultat e strukturave që është krijuar qysh në vitin 2009, ka qenë jo e shtangume, por ka qenë vetëm ashtu e lëshuar njëra mbi tjetrën edhe me materiale të cilat nuk kanë qenë të duhura për atë që janë përdorur, kam dëgjuar që ka ndodhur edhe në vitin 2017 dhe edhe atëherë e kanë pasur mundësinë ekipet për ta zgjidhur këtë problem por nuk e kanë bërë”, shpjegon ai.

Rama flet dhe për atë se a është konflikt interesi që të jenë në një drejtori planifikimi dhe urbanizmi.

“Jo nuk është ashtu. Drejtoria për planifikim merret me planifikimin e të gjithë kryeqytetit në vija të trasha, i jep kahje drejtimit dhe zhvillimit të gjithë vendit. Ndërsa drejtoria e urbanizmit lëshon leje si rezultat i propozimeve të ndryshme. Nuk është konflikt interesi sepse ndodhen në pjesë të ndryshme, një element përfundon, kur tjetri është tërë kohën. Në shumicën e vendeve të botës e ke në një vend urbanizmin dhe planifikim në një vend, edhe këtu i ke pas një vend. Është ndarë vetëm në më shumë drejtori për të vendosur njerëz dhe jo që ka pasur nevojë dhe për këtë arsye dhe ne e kemi shkrirë në një”, deklaron Përparim Rama./Gazeta Blic/