Nuk janë të rralla rastet kur Policia e Kosovës has në personat që mbajnë armë pa leje, gjë që vazhdimisht po e cenon sigurinë e qytetarëve të vendit si dukuri negative.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe sot rreth orës 11:30 në spitalin e Psikiatrisë në QKUK.
Burimet e Sinjalit brenda QKUK-së kanë bërë të ditur se një person brenda spitalit ishte duke shkaktuar probleme, rast për të cilin u njoftua policia menjëherë.
Me të marrë informatën, një njësi policore kanë shkuar në vendngjarje ku edhe kanë hasur në personin e denoncuar.
Gjatë kontrollimit të të dyshuarit zyrtarët policorë kanë gjetur një armë të zjarrit me disa fishekë, që janë konfiskuar më pas. Për shkak të posedimit të armës, ai është shoqëruar në stacion policor, për t’u trajtuar në cilësinë e personit te dyshuar nga zyrtarët policor.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor së bashku me gjësendet e konfiskuara me rastin e kontrollit policor te të dyshuarit.
Kujtojmë se, kushdo që mban në pronësi, kontroll ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armë, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.