Janë padyshim një ndër tifozeritë më spektakolare, në të gjithë botën. Përveç fushës së blertë, Kroacia ka ditur gjithmonë të dhurojë spektakël edhe në tribuna, edhe këtë gjë e vërtetuan më së miri ndaj Spanjës ku mbajtën përgjatë gjithë sfidës Kombëtaren e tyre të karikuar, pavarësisht se ndodheshin në disavantazhin e tre golave.
Mirëpo, në tribuna nuk ka vetëm tifozë të qetë, por edhe ultras, me këta të fundit që i kanë kushtuar jo pak Federatës Kroate të Futbollit, e cila ka njoftuar këtë pasdite, se është gjobitur nga UEFA me një total prej 87875 eurosh, për hedhjen e gotave plastike në fushë, si edhe për hedhjen e flakadanëve në fushën e blertë.
“Organet disiplinore të UEFA-s vendosën të ndëshkojnë Federatën Kroate për sjelljen e tifozëve në ndeshjen ndaj Spanjës në Berlin më 15 qershor. Federata u gjobit 63875 euro për hedhjen e gotave plastike dhe 24000 euro për ndezjen e flakadanëve, për një total prej 87875 eurosh”,- shkruante Federata Kroate.
Më tej në njoftimin e saj, Federata u bëri thirrje tifozëve që të mos përsëritnin sjellje të tilla që do të shoqëroheshin përsëri me ndëshkime masive nga UEFA në të ardhmen, duke filluar nga ndeshja me Shqipërinë, mirëpo duke ditur se sa të zjarrta janë këto dy tifozeri vështirë se të tilla sanksion nuk do të merren sërish nga UEFA, për këtë Kampionat Evropian.