Tek Qendra e Studentëve në Prishtinë, ndër vite është vrejtur një ‘manipulim’ i studentëve, pikërisht me vet vendet e tyre të siguruara në këtë qendër.
Sikurse vendin, ashtu edhe kartelën e menzës e keqpërdorin në mënyrë të kundërligjshme.
Në lidhje me këtë gjatë ditës së hënë, QS ka dal me një reagim në rrjetin social ‘Facebook’, duke kërkuar nga studentët që të heqin dorë nga këto tendenca për shit dhe blerje të vendeve, si dhe që të njejtit të mos bien pre e këtyre mashtrimeve.
Derisa kjo qendër ka bë një kërkesë të tillë, GazetaBlic ka zhvilluar një intervistë me drejtorin e kësaj qendre Ekrem Rudari, për të parë se a kanë hasur raste të tilla brenda konvikteve.
Që nga fillimi i banimit të studentëve në konvikte, Rudari thotë se kanë bërë gjurmime, por që të njejtat kanë rezultuar negative.
Brenda qendrës rreth 90 % e studentëve janë të viteve të para, që për të cilën drejtori shprehet bindës që nuk bëjnë një gjë të atillë.
“Ne kemi gjurmuar vazhdimisht, nga 1 tetori kemi qenë të përgatitur për një gjë të tillë, sepse ka pas vazhdimisht kësi manipulanta. Deri tash nuk kemi hasur, gjatë gjurmimeve që kemi bërë kemi hasur profile fallco të gjithë të cilët janë shitur si student për t’i mashtruar studentët banues ose të cilët pretendojnë me hy nëpër konvikte. Një student që është pranuar nuk e bënë një gjë të tillë me dal me shit një vend, sepse mbi 90 % i kemi studentë të vitit të parë dhe nuk e bëjnë një gjë të tillë dhe nëse dikush e bënë, faktikisht kush është banorë e din që brenda një javë dite nxinet kush do që e bënë një gjë të tillë. Reagimet i kemi se menjëherë hynë në listë të zezë si blerësi si shitësi, mirëpo deri tani nuk kemi pas një gjë të tillë. Jemi në kontrolle interne vazhdimisht, siogurimi në 24 orë që monitoron studentët, po ashtu recipsionistët që hynë e dalin vazhdimisht kanë kontroll”, tha ai.
I pyetur se çfarë ndodh nëse gjatë kontrolleve hasin në një studentë që bën një vepër të kundërligjshme, Rudari shprehet se ata studentë automatikisht hynë në listë të zezë, që i bie se nuk kanë më të drejtë të jenë pjesë e qendrës.
“Studentët automatikisht hynë në listë të zezë që në vitin e ardhshëm nuk mund të aplikojë për konvikt, po ashtu edhe i njejti që e ka blerë një vend, pra deri më tani nuk kemi pas, kemi pas vitet e kaluara që e kemi vendos ashtu”, potencoi ai.
Gjithashtu, Rudari bën të ditur se në konvikte ka kontrolle të vazhdueshme, dhe se katër nga recepsionistët që janë në ndrrime i njohin të gjithë studentët.
Kështu ata vazhdojnë edhe me kontrolle interne, minimumi dy herë në muaj.
Ndër të tjera, këtë vit janë pranuar në konvike rreth katër mijë studentë, pasi që sipas drejtorit të QP-së, nuk ka kapacitet kjo qendër për më shumë studentë pranues.
“Rreth katër mije studentë janë banues, po ashtu e kanë lejen studentët që nuk e kanë pas lejen të banojnë në konvikte, banojnë në banesa private mund të ushqehen në menzë, ua kemi dhënë kartelat e menzes që mos të jenë të deskriminuar as ata, pra masi vendi ka kapacitet për rreth katër mijë studentë, nuk kemi mundësi më shumë me pranu”, përfundoi drejtori për GazetaBlic.


