Lajme

Shifra të larta të COVID/ Epidemiologu Alimehmeti: Kjo është mënyra për të frenuar përhapjen e virusit

07/17/2022 18:55
nga:G B

Më shumë se 14 mijë të infektuar me Covid u zbuluan në Shqipëri në  afro dy javët e para të korrikut. Aktualisht numri i të prekurve kalon 9200 persona.

Një rritje e ndjeshme kjo  në raport me fundin e qershorit dhe shumë më e lartë se e njëjta periudhë e vitit të shkuar kur në të gjithë vendin  sipas të dhënave zyrtare numëroheshin 137 raste pozitive.

Shtimi i të infektuarve sipas mjekëve vjen për shkak të nënvarianteve të  “Omicron” për të cilat thonë se  janë më të transmetueshme dhe më të lehta se  mutacionet e mëparshme të Covid.

“Si shfaqje klinike ne nuk kemi të dhëna të sakta sepse bëjmë matje pasive. Pacientët duhet të kenë simptoma e të paraqiten tek mjeku. Në qoftë se do të bënim fushatë testimesh apo testet do të shiteshin në farmaci do shihnim që një pjesë e madhe nuk kanë as këto shenja. Të dhënat që vijnë nga Anglia tregojnë se temperatura është e pranishme tek 1/3 e personave, disa mund të paraqesin dhimbje koke, trupi, shenja që s’i lidhin me Covid. Ky është aleati më i mirë i përhapjes”, thotë mjeku Ilir Alimehmeti.

Për t’u ofruar më tepër lehtësi qytetarëve dhe për të frenuar përhapjen e infeksionit, epidemiologu Ilir Alimehmeti mendon se testimi për Covid duhet liberalizuar.

“Në të gjithe Europën  mund të shkosh në farmaci, supermarket dhe të blesh teste. Po ta kesh të disponueshëm me çmime të leverdishme mund të testohesh edhe nëse je rast kontakti, mund të mbrosh komunitetin dhe familjen”, thotë ai.