Lajme

Sherifi: Presidentja Osmani demanton kryeministrin Kurti për nenin 7 të Marrëveshjes së Ohrit

03/30/2023 22:09
nga:G B

Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovën, ka thënë se presidentja Osmani ka demantuar kryeministrin Kurti për nenin 7 të Marrëveshjes së Ohrit, raporton Gazeta Blic.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Kurti atë pikë e ka paraqitur si sukses të “gjenialitetit” të tij negociues, si diçka më pak se Zajednica, por që sipas Osmanit, ky nen është imponuar pa dëshirën e Kosovës.

Postimi i tij i plotë:

Kryeministri Albin Kurti nenin 7 të marrëveshjes vazhdimisht e ka paraqitur si sukses të “gjenialitetit” të tij negociues, si diçka shumë më pak se “zajednica” e vitit 2013-2015, rrjedhimisht si diçka të padëmshme!

Ndërsa sot nga Vjena presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar që nenin 7 Kosova nuk e ka dashur në marrëveshje, dhe se nuk ka qenë zgjedhje e duhur për ta shtyrë Kosovën në këtë drejtim!

Pra, deklarata e presidentes Vjosa Osmani nga Vjena se neni 7 na është imponuar pa dëshirën e Kosovës, demanton katërcipërisht atë që vazhdimisht ka deklaruar Kryeministri Kurti: se neni 7 nuk është imponim por “gjetje mençur” e tij për ta shpëtuar Kosovën nga “Zajednica”!