Lajme

Sherifi për VV-në: Lojëra psikologjike dhe arrogancë, po të ishte e gatshme do t’i shpallte zgjedhjet këtë vit – votuesit do ta ndëshkojnë

12/27/2023 14:06
nga:G B

Lëvizja Vetëvendosje është shprehur e gatshme edhe për zgjedhje të parakohshme.

Madje, parti që gjendet në pushtet ka thënë se do t’i tejkalojë rezultatet që ka pasur në zgjedhjet e fundit nacionale.

Lidhur me këto deklarata dhe sondazhet e fundit nga UBO Consulting ku Vetëvendosje doli e para me 48 për qind, për Gazeta Blic ka folur Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate.

Ai potencon se sondazhet janë indikatorë, që tregojnë raportin e forcave pozitë opozitë.

“Sondazhet gjithkund në botë janë veç indikacione për raportin mes pozitës dhe opozitës. Shifrat nuk janë të përhershme asnjëherë. Ata janë indikatorë që tregojnë që opozita duhet të punojë shumë më shumë, që të ndryshojë raportin e forcave. A janë 48, a janë 30, apo 35 nuk e di, nuk mund të them asgjë. Është vështirë për t’u besuar krejt kjo, mirëpo një fakt e dëshmojnë gjithmonë sondazhet, që si indikatorë që janë, se raporti i forcave nuk është në favor të opozitës”, thotë ai.

Sipas Sherifit, opozita nuk duhet të merret me sondazhe po me një ofertë më të mirë se puna e deritashme e qeverisë, me kundërshtimin e qeverisjes arbitrare dhe arrogante.

“Prandaj, opozita nuk duhet të fokusohet në sondazhet e tyre por duhet të përqendrohet në ndryshimin e gjendjes, le të themi të bëjë një ofertë shumë më të mirë se sa puna që deri tash e ka bërë qeveria, t’i kritikojë veprimet dhe mos veprimet e qeverisë në vazhdimësi dhe jam i sigurt se në zgjedhjet e ardhshme rezultatet do të jenë krejt ndryshe, se që indikatorët e sondazheve japin. Kështu që, shqetësimi duhet të jetë puna e tyre, e partive opozitare, e të gjithë atyre që nuk pajtohen me këtë mënyrë qeverisëse, arbitrare dhe arrogante dhe jo të bllokohen te shifrat. Ato janë relative, ndërsa sondazhet janë indikatorë që tregojnë raportin e forcave. Kështu që, le të përqendrohet opozita, të gjitha partitë, parlamentare dhe jo parlamentare, në punën dhe angazhimin e tyre dhe jo në sondazhet që dalin”, vlerëson ai për Gazeta Blic.

Sa i përket deklaratave të Vetëvendosjes, Sherifi thotë se çdo parti ka të drejtë të ketë ambicie por që VV po të ishte aq e sigurt për zgjedhje, do t’i shpallte ato në mars apo prill, mirëpo këto janë lojëra psikologjike të saj që tregojnë arrogancë.

“Vetëvendosje dhe secila parti është në të drejtën e saj që të ketë ambicie të parealizueshme. Çdokush ka të drejtë të shprehë dëshira dhe objektiva por janë zgjedhësit në fund që do të vendosin se kujt do t’ia falin besimin për mandatin e ardhshëm. Por, po të ishte VV aq e gatshme për zgjedhje, qysh vitin e kaluar ose  do t’i shpallte  për në mars apo prill të këtij viti, por nuk besoj se ajo është aq e sigurt në atë që thotë, por këto janë lojëra psikologjike që i bëjnë partitë në pushtet, duke dashur që të demonstrojnë forcë dhe arrogancë, atë e bëjnë këtë, vetëvendosje e para, të gjitha partitë në pushtet nëpër vendet demokratike ku ka zgjedhje të lira, herë të lira, herë gjysmë të lira, e bëjnë këtë, nuk është për t’u çuditur”, shton ai.

Sherfi është i bindur se rezultati i zgjedhjeve do të jetë ndryshe nga sondazhet dhe votuesit do ta ndëshkojnë qeverinë arrogante dhe megalomane.

“Por unë jam i bindur që rezultati i zgjedhjeve do të jetë krejt ndryshe nga rezultatet e të gjitha sondazheve sepse kjo qeveri deri tash nuk ka dëshmuar asgjë deri tash, pos paaftësi dhe arrogancë. Konsideroj se zgjedhësi i Kosovës është jashtëzakonisht ndëshkues ndaj qeverive arrogante dhe megalomane dhe jam i sigurt që Vetëvendosje do ta paguajë këtë çmim”, përfundon Bilall Sherifi./Gazeta Blic/