Lajme

Sherifi: Kurti sot në Bruksel të insistojë për reciprocitet, Asociacion për njohje formale

02/27/2023 17:31
nga:G B

Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovën, ka thënë se presidenti serb Vuçiq ka ardhur në pushtet duke premtuar që kurrë nuk do të pranojë pavarësinë e Kosovës, ndërsa kryeministri i Kosovës, Kurti ka ardhur në pushtet duke premtuar që kurrë nuk do të lejojë formimin e asociacionit, raporton Gazeta Blic.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se të dy duhet të heqin dorë nga qëndrimet e tyre, në mënyrë që marrëveshja të jetë e drejtë dhe e balancuar.

Sipas tij, marrëveshja merr parasysh premtimin e Vuçiqit por jo edhe premtimin e Kurtit, pasi e detyron atë ta formojë Asociacionin por jo edhe Serbinë ta njohë Kosovën.

Ai ka shtuar se Kurti sot duhet të insistojë në reciprocitet në arritjen e marrëveshjes, pra Asociacion për Njohje Formale ose anasjelltas Njohje Formale për Asociacion!

Postimi i tij i plotë:

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq ka ardhur në pushtet duke premtuar që kurrë nuk do të pranojë pavarësinë e Kosovës. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka ardhur në pushtet duke premtuar që kurrë nuk do të lejojë formimin e asociacionit!

Për të qenë marrëveshja e drejtë dhe e balancuar ose duhet të kërkohet nga të dy, Vuçiqi dhe Kurti, të heqin dorë nga qëndrimet maksimaliste ose duhet të respektohen qëndrimet e të dyve!

Nga ajo që kemi parë deri më sot, marrëveshja merr parasysh premtimin e Vuçiqit por jo edhe premtimin e Kurtit. Marrëveshja detyron Kosovën të themelojë asociacionin por nuk detyron Serbinë të njeh formalisht Republikën e Kosovës!

Më e pakta që pritet sot nga kryeministri Albin Kurti është insistimi në reciprocitet në arritjen e marrëveshjes. Që do të thotë: Asociacion për Njohje Formale ose anasjelltas Njohje Formale për Asociacion! Pra, nëse marrëveshja nuk e përmban Njohjen Formale atëherë Kosova nuk duhet të themelojë Asociacionin!