Lajme

Sherifi: Kurti dëshiron t’i hedh hi syve popullit, bëri gabim fatal që hoqi dorë nga e drejta për draft-statutin e Asociacionit dhe ia la në dorë Serbisë

05/03/2023 16:52
nga:G B

Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate, në një prononcim për Gazeta Blic, ka kritikuar Qeverinë lidhur me lirimin nga detyra të Ekipit Menaxhues për draft-statutin e Asociacionit.

Ai thotë se ky nuk mund të quhet shkarkim, pasi Ekipi e ka kryer mandatin, që ka qenë përpilimi i draftit.

“Po ta shkarkonte atëherë ekipin, do të mund të quhej shkarkim. Tash pas ofrimit të draft-statutit të Asociacionit nga ky Ekip Menaxhues, gjithçka mund të jetë por nuk mund të jetë shkarkim, sepse ai e ka kryer mandatin. Mandati i tyre ka qenë me e bë një draft-statut për Asociacionin, ata e kanë dorëzuar te palët atë draft dhe e kanë përfunduar mandatin”, thekson ai.

Sipas Sherifit, e gjitha kjo tani është lojë e Kurtit për t’i hedhur hi syve të popullit dhe për të mirëmbajtur votuesin, e jo diçka për t’u mburrur.

“Kjo tash është lojë e Kurtit, e qeverisë Kurti për t’i hedhur hi syve shqiptarëve, popullit, votuesve, se gjoja ai ka ndërmarrë masa kundër ekipit menaxhues, që paska vepruar kundër interesave të Kosovës. Pra, është thjesht një lojë për të mirëmbajtur votuesin e tyre, por jo veprim për të cilin do të mund të mburrej Kosova”, thotë Sherifi për Gazeta Blic.

Ai potencon se Kurti ka interes vetëm t’i mashtrojë qytetarët dhe jo t’i fitojë betejat në Bruksel.

“Albin Kurtit dhe qeverisë së tij vazhdon t’i interesojë vetëm mashtrimi i qytetarëve dhe jo t’i fitojë betejat në Bruksel. Ai është dorëzuar sepse ka hyrë në një proces ku nuk ka shanse t’i sjell asnjë marrëveshje pozitive Kosovës dhe krejt çka i intereson është që të mashtrojë votuesit se gjoja ai ka vepruar për të mbrojtur interesat e vendit”, shton ai.

Sipas Sherifit, ekipi nuk është dashur të pranohet që në fillim dhe tani që dëmi është bërë dhe draft-statuti është prezantuar, nuk ka asnjë efekt.

Ai po ashtu thotë se ky është gabim fatal i bërë nga Qeveria që të pranohen njerëz të Serbisë, derisa me Marrëveshjen e Brukselit Qeveria është dashur ta bëjë draft-statutin e Asociacionit.

“Ekipi nuk është dashur të pranohet fillimisht, tani është tepër vonë të shkarkohet, nuk ka asnjë efekt, dëmi është bërë, drafti i statutit tashmë është aty dhe mbi atë draft do të punohet, nuk do të ketë draft të ri. Ky ka bërë gabim katastrofal kur ka pranuar njerëz të Serbisë, jo të Kosovës, njerëz që janë të lidhur me Vuçiqin që ta bëjnë draft-statutin. Ai është dashur të bëhet nga Qeveria e Kosovës. Imagjinoni, qeveria që e ka pasur për detyrë nga Marrëveshja e Brukselit, që të bëjë një draft-statut, ka hequr dorë nga e drejta e vetë dhe ia ka transmetuar atë një ekipi të menaxhimit. kjo është katastrofale, fatale. Marrëveshja e 2013 dhe 2015 tregon se qeveria duhet ta bëjë atë draft-statut dhe kjo qeveri këtë të drejtë e ka dorëzuar te ekipi menaxhues, ndërsa më pas thotë se ekipi nuk e ka bërë draftin sipas dëshirës së Qeverisë”, vlerëson ai për Gazeta Blic.

Sherifi potencon se nuk mund të presësh që Serbia të përpilojë draft në përputhje me Kushtetën e Kosovës dhe e është normale që ajo dëshiron Republika Sërpska në Kosovë.

“Nëse ti kërkon nga Serbia që të bëjë një draft, nuk mund të presësh që ai të jetë në përputhje me Kushtetutën. Është normale që çkado që vjen nga Serbia të vjen në një formë të përsëritur të Republika Sërpska. Nuk mund të befasohesh sikur në dimër të bie bora sepse është normale që të bie bora. Me këtë shkarkim, Albin Kurti bëhet sikur është befasuar se ekipi ka vepruar kundër interesave të Kosovës”, përfundon Bilall Sherifi./Gazeta Blic/

Shkarkimi i Ekipit Menaxhues, deputetja e LDK-së kritikon Qeverinë: Tentativë për të larguar përgjegjësinë për dëmin e bërë

Fatmir Humolli për shkarkimin e Ekipit Menaxhues: Komisioni ishte i Serbisë, gabim diskutimi i draft-statutit të Asociacionit me të